Hargreavesi dhe Maqedonci flasin për zhvillimet aktuale të sigurisë
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vizituar sot ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Gjatë takimit, Hargreaves dhe Maqedonci folën për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Gjatë takimit, biseduam për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, rëndësinë e koordinimit të ngushtë me partnerët strategjikë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët” u shpreh Maqedonci.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Ishte kënaqësi që sot të pres në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves, me të cilin zhvilluam një diskutim të frytshëm mbi zhvillimet aktuale të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Gjatë takimit, biseduam për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, rëndësinë e koordinimit të ngushtë me partnerët strategjikë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Republikës së Kosovës dhe sektorit tonë të mbrojtjes, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë që kemi ndërtuar ndër vite.
Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, si dhe për të vazhduar koordinimin e ngushtë për sfidat e përbashkëta të sigurisë.