Përplasje brenda LDK-së, të pakënaqurit çojnë në Kuvend nismën për rrëzimin e Abdixhikut
Pakënaqësitë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj udhëheqjes aktuale pritet të marrin një zhvillim të ri, pasi një grup delegatësh ka paralajmëruar dorëzimin e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.
Iniciativa synon që në këtë kuvend të shqyrtohet shkarkimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Nga 355 delegatë sa ka Kuvendi i kësaj partie, deri tani janë siguruar rreth 150 nënshkrime, ndërsa për thirrjen e Kuvendit nevojiten 118.
Sipas procedurave të përcaktuara në statutin e LDK-së, pas dorëzimit të nënshkrimeve, kryesia e partisë është e obliguar që ta thërrasë Kuvendin brenda afatit prej 60 ditësh.
Kjo lëvizje vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, i cili ka shkaktuar pakënaqësi te disa zyrtarë të lartë dhe struktura të degëve të LDK-së. Disa prej tyre kanë kërkuar përgjegjësi nga Abdixhiku, përfshirë edhe dorëheqjen e tij dhe organizimin e zgjedhjeve të brendshme.
Megjithatë, kryetari i LDK-së ka deklaruar se nuk planifikon të japë dorëheqje. Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e rregullta për kryetar janë të parapara për vitin e ardhshëm dhe ka theksuar se do të respektojë statutin e partisë.
“Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me statut, e thërras Kuvendin”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja duhet t’i zhvillojë debatet brenda strukturave të saj.
Ai ka bërë thirrje që partia të shmangë përçarjet dhe të fokusohet në funksionimin e saj institucional, duke theksuar se nuk dëshiron ndarje brenda LDK-së. /Sinjali