Reagim ndaj rrëzimit të avionit, KFOR-it stërvitet në afërsi të “Bondsteel”-it
Foto: Facebook

Reagim ndaj rrëzimit të avionit, KFOR-it stërvitet në afërsi të “Bondsteel”-it

Aktuale July 13, 2026 - 15:24

Ushtarët e Komandës Rajonale-Lindje (Regional Command-East – RC-E), në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, kanë zhvilluar një stërvitje për reagim ndaj një skenari të simuluar të rrëzimit të një avioni pranë kampit "Bondsteel".

Sipas njoftimit të KFOR-it, qëllimi i stërvitjes ishte forcimi i koordinimit shumëkombësh në fushën mjekësore, si dhe rritja e kapaciteteve për reagim të shpejtë në të gjithë zonën e operimit.

Në ushtrim morën pjesë ekuipazhe ajrore, personel mjekësor i fluturimeve dhe pjesëmarrës me role të ndryshme, të cilët testuan procedurat për triazhimin, trajtimin dhe evakuimin e të lënduarve në rast të një emergjence.

KFOR-i theksoi se stërvitja kontribuon në përmirësimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet njësive të misionit dhe ndihmon në ruajtjen e gatishmërisë së personelit për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efektive situatave emergjente.

Sipas misionit, ushtrime të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një nivel të lartë të përgatitjes operacionale dhe koordinimit ndërmjet forcave shumëkombëshe në Kosovë.