Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe, pas deklaratës për spastrimin etnik në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe, pas deklaratës për spastrimin etnik në Kosovë

Aktuale July 16, 2026 - 15:37

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, për shkak të deklaratave të saj publike lidhur me luftën në Kosovë.

Përmes një postimi, Gërvalla tha se Republika e Kosovës "nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit", duke shtuar se nuk ka vend për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit dhe përhapjen e narrativave që cenojnë paqen dhe bashkëjetesën ndëretnike.

Sipas saj, deklaratat që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik nuk mund të konsiderohen retorikë e zakonshme politike.

Gërvalla i referohet një interviste të dhënë më 12 korrik 2026 nga Paunoviqi në emisionin "Neispriëano", të transmetuar nga media serbe "Kurir" dhe në YouTube, ku ministrja serbe citohet të ketë thënë:

"Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998".

Ministrja në detyrë e Drejtësisë e cilësoi Paunoviqin si "trashëgimtare të denjë të Millosheviqit", duke shtuar se narrativa e saj është e papranueshme dhe e dënueshme sipas rregullave vendore dhe ndërkombëtare.

"Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente", ka shkruar Gërvalla.

Ajo rikujtoi se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke përmendur mbi 10 mijë civilë shqiptarë të vrarë, 1.565 persona ende të zhdukur, afro një milion qytetarë të dëbuar me forcë, rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale dhe mbi 100 mijë shtëpi të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë.

Në fund, Gërvalla theksoi se përgjigjja e Kosovës ndaj gjuhës së urrejtjes është sundimi i ligjit dhe se institucionet kanë detyrim kushtetues të mbrojnë rendin kushtetues, dinjitetin e qytetarëve dhe vlerat e lirisë, demokracisë, paqes dhe të drejtave të njeriut.