Raporti përfundimtar për analizat laboratorike për qumështin “Vita” pritet deri më 27 korrik, thotë Ministria

Raporti përfundimtar për analizat laboratorike për qumështin “Vita” pritet deri më 27 korrik, thotë Ministria

Aktuale July 16, 2026 - 15:49

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka reaguar ndaj deklaratave të operatorit ekonomik “Vita” lidhur me analizat laboratorike të produkteve, duke sqaruar se procedura zyrtare e kontrollit ende nuk ka përfunduar.

Në një njoftim për media, MBPZHR-ja mohoi se kishte bërë ndonjë zotim publik apo zyrtar që rezultatet e analizave do të publikoheshin më 13 korrik 2026.

"Pretendimi se është shkelur një afat i premtuar nuk qëndron", thuhet në reagimin e Ministrisë.

Sipas MBPZHR-së, kontrollet zyrtare të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë zhvillohen në përputhje me Ligjin për Ushqimin dhe legjislacionin në fuqi, ndërsa rezultatet laboratorike përbëjnë vetëm një pjesë të procesit.

Ministria thekson se, para nxjerrjes së përfundimeve, duhet të përfundojnë edhe verifikimet administrative, teknike dhe ligjore, në mënyrë që raporti përfundimtar të jetë i plotë dhe i mbështetur në prova.

Ajo paralajmëron se publikimi i rezultateve të pjesshme ose i analizave të veçuara para përfundimit të procedurës do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar dhe mund të çonte në keqinterpretim të gjetjeve.

MBPZHR-ja bën të ditur se i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që procedura të përfundojë sa më shpejt, duke respektuar kërkesat ligjore dhe standardet profesionale.

Sipas ministrisë, kryeshefi ekzekutiv ka konfirmuar se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se 27 korriku 2026, ndërsa nëse analizat dhe verifikimet përfundojnë më herët, ai do të publikohet edhe para këtij afati.

MBPZHR-ja thekson se nuk do të komentojë pretendimet e operatorëve ekonomikë derisa procedura zyrtare të jetë në zhvillim, duke nënvizuar se vetëm raporti përfundimtar i hartuar nga autoriteti kompetent përbën bazën ligjore për vlerësimin e përputhshmërisë së produkteve me legjislacionin në fuqi.

Sipas Ministrisë, prioritet mbetet mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve, trajtimi i barabartë i operatorëve ekonomikë dhe garantimi i integritetit të procesit të kontrollit zyrtar. Rezultatet përfundimtare do të publikohen menjëherë pas përfundimit të procedurës. /Zëri