Shtëpisë-muze iu vodhën 6 karrige, e bija e Ymer Elshanit: Jam e mërzitur shumë, s’e kam pritur

Shtëpisë-muze iu vodhën 6 karrige, e bija e Ymer Elshanit: Jam e mërzitur shumë, s’e kam pritur

Aktuale July 26, 2026 - 22:28

Ka dy muaj që është përuruar.

Tashmë krijimtaria e shkrimtarit Ymer Elshani, zë vend në këtë shtëpi në Korreticë të Ulët të Drenasit.

Por tre ditë më parë, ajo çfarë ndodhi këtu shqetësoi familjarët e tij.

Në oborrin e shtëpisë-muze, të martën e 21 korrikut, u vodhën gjashtë karrige.

E bija e tij Teuta shprehet e pikëlluar me këtë gjest.

“Me të vërtetë u mërzita shumë, sepse nuk e kam pritur që mund të ndodh një akt i tillë. Sado që disa karrige nuk është diçka shumë e madhe, mirëpo për mua ajo është një gjest që mund të sjell edhe dëme të tjera në të ardhmen”, shprehet ajo.

Ajo thotë se pavarësisht restaurimit, ende s’ka një zgjidhje që mundëson që muzeu të qëndrojë i hapur çdo herë.

“Për momentin shtëpia është vetëm nën mbikëqyrjen time dhe të familjes sime dhe nuk kemi bërë ende një zgjidhje që do të mundësonte që kjo shtëpi të jetë e hapur sidomos tash në shtator kur të fillojnë shkollat”, shprehet Elshani.

Teuta shpreson që kjo shtëpi-muze të mbetet një vend kujtese.

“Unë nuk e mbaj mend, por më tregojnë familjarët që në një moment të caktuar gjatë luftës babai im më paska rrahur supet dhe më paska thënë një fjalë që kjo do t’i botojë të gjitha librat, po flasim për vitin 1998 në kohën kur ishte gjendje lufte dhe ku e di pse e ka pasur atë mendim. Ajo edhe ndodhi, mbeta vetëm unë që të merrem më dorëshkrimet e tij e të botoj librat e tij”, tregon ajo.

Ymer Elshani u vra dhe u masakrua më 17 prill të vitit 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të Vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe shumë bashkëfshatarë të tij.