Bresalci i Gjilanit në terr, banorët ankohen për ndërprerje, tension të ulët e mungesë orari

Bresalci i Gjilanit në terr, banorët ankohen për ndërprerje, tension të ulët e mungesë orari

Aktuale August 01, 2026 - 21:41

Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po vazhdojnë të krijojnë vështirësi për banorët e fshatit Bresalc të Gjilanit.

Ata thonë se përballen me mungesë të rrymës pa orar dhe me tension të ulët, duke u detyruar të ndërpresin punët e përditshme dhe të përdorin alternativa si gjeneratorët.

Të tilla janë edhe njoftimet. Vetëm gjatë muajit korrik, mbi 5 herë është paralajmëruar për punime në rrjet nga KEDS, rrjedhimisht, rryma është ndalur në oraret 10.00 deri ne 15.00. Por sipas banorëve të këtij fshati, punimet nuk duken askund, e ajo çfarë vërehet është mungesa e energjisë elektrike.

Banorit të këtij fshati, Bajram Abazi, punimet në shtëpi i kanë mbetur në gjysmë, pasi për ta përfunduar punën i duhet energjia elektrike.

Ai thotë se për shkak të këtij problemi nuk po mundet t’i thërrasë as punëtorët.

“Për rrymën elektrike asnjëherë nuk je i sigurt. Me dashtë me ndërtu diçka, me punu diçka, e merr punëtorin, ti as nuk je që e paguan tërë ditën. Dy-tre orë punon. Kaniherë lajmërojnë, për shembull prej orës 10 deri në 16, por bon vaki vjen rryma në ora 22:00”, tha Bajram Abazi.

E banori tjetër, Nasuf Muji, thotë se ndalja e rrymës bëhet edhe pa paralajmërim, përveç rasteve të shpeshta të ndaljes me paralajmërim gjatë tërë vitit, e sidomos muajin e fundit.

“Tensioni është i ulët në përgjithësi. Rryma ndalet pa orar, nuk kemi orar. Kaniherë lajmërojnë, arsyet nuk i dimë”, theksoi Muji.

E kryetari i fshatit, Haxhi Kurti, thotë se në këtë situatë janë prej një kohe të gjatë dhe se po e kanë shumë të vështirë edhe për ujë të pijshëm.

“Na për ujë të pijshëm kemi vështirësi. Sa herë që ndalet rryma, nuk kemi as ujë me pi, krejt e kemi me shpumje ujin. 26 vjet pas luftës, na nuk kemi ujësjellës hala”, sqaroi Kurti.

Haxhiu thotë se gjeneratori është zgjidhja e vetme për disa punë.

“Në fshat diçka me punu nuk je në gjendje për shkak të rrymës. Ose duhesh me llogarit me agregat ose diçka tjetër, se rrymën kurrë nuk e ki të sigurt”, vlerësoi ai.

Kësisoj, media ka provuar të marrë përgjigje nga KEDS, por deri në transmetimin e kësaj kronike nuk kanë kthyer përgjigje. /tëvë1