Formimi i institucioneve, Kusari-Lila: Ftesa për LDK-në dhe partitë e tjera pritet brenda pak ditëve, ndoshta edhe orëve
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që shumë shpejt t’u dërgojë ftesë për takim Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera parlamentare, me qëllim të diskutimit për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Ajo tha se pret që ftesa të bëhet para seancës konstituive.
“Po, jam e bindur që shumë shpejt, para seancës konstituive, kryeministri i Republikës së Kosovës, zotëri Albin Kurti, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, koalicionit tonë të përbashkët, do të bëjë ftesë brenda pak ditëve ndoshta edhe orëve edhe për Lidhjen Demokratike, edhe për parti të tjera. Kjo në kuptimin që konstituimi i institucioneve, në veçanti edhe zgjedhja e presidentit, është një obligim i përbashkët i të gjithë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës. Siç e dimë, përkundrejt çfarëdo marrëveshjeje ose mundësie për t’u zgjedhur Kryesia e Kuvendit, për t’u konstituuar Kuvendi apo për t’u zgjedhur Qeveria, prapë mospasja e suksesit në zgjedhjen e presidentit do e çonte vendin në zgjedhje në një periudhë të shkurtër kohore, jo më pak se dy muaj. Prandaj, për të parandaluar dhe evituar edhe një shkuarje në zgjedhje për të cilën duket se askush nuk e ka as vullnetin e as nuk e shohim se ka ndonjë arsye logjike shpresojmë që të gjithë të jenë të gatshëm të diskutojnë me seriozitetin më të lartë të mundur për detyrat që na takojnë si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Qëllimi është që institucionet të konstituohen brenda një periudhe të shkurtër kohore, që pas seancës konstituive të Kuvendit dhe eventualisht edhe zgjedhjes së Qeverisë, të caktohet menjëherë edhe data për votimin fillimisht dakordimin dhe votimin për presidentin e vendit”, tha Kusari-Lila.
E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të ofrojë një marrëveshje për partitë opozitare lidhur me çështjen e presidentit, ajo tha se diskutimet mbeten të hapura, por se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me rezultatin zgjedhor.
“Unë mendoj që është e qartë çfarë është e mundur të ofrohet. Është e mundur të ofrohet diskutim e koalicion për qeverisje, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, është dakordimi i përbashkët i subjekteve qoftë vetëm me procesin e dakordimit, qëndrimit në sallë e votimit sipas vullnetit të tyre, apo edhe një marrëveshje më të gjerë. Është paksa problematike në rast se fillojnë të vendosen kushte të natyrës të cilat nuk përkojnë me vullnetin e qytetarëve të Republikës. Qytetarët kanë folur, rezultati dihet dhe konform atij rezultati mund të pritet dakordimi politik në mes të subjekteve”, deklaroi ajo.
Sa i përket mundësisë që në takimet e ardhshme të propozohet një emër për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Kusari-Lila tha se kjo do të varet nga ecuria e bisedimeve.
“Kjo krejt varet nga dinamika e diskutimit. Takimi i parë është mbajtur me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është thënë se ka vullnet për të vazhduar me takime të tjera. Së shpejti jam e bindur se do të ketë takim tjetër dhe prej atyhit mandej mund të dalin edhe konkretisht dakordimet që janë bërë mes subjekteve”, u shpreh ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila. /EO