Mujanoviq: Varrezat masive në Kosovë rikujtojnë krimet e Millosheviqit
Foto: Laura Hasani

Mujanoviq: Varrezat masive në Kosovë rikujtojnë krimet e Millosheviqit

Aktuale August 03, 2026 - 18:39

Politologu për politikën e Evropës Juglindore, Jasmin Mujanoviq, ka reaguar pas zbulimit të dy varrezave të reja masive nga lufta në Kosovë, ku dyshohet se janë gjetur mbetjet mortore të viktimave shqiptare të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Mujanoviq ka deklaruar se ky zbulim është një kujtesë për faktin se pasojat e fushatave të dhunshme të Beogradit në vitet ’90 në rajon mbeten ende të freskëta dhe kryesisht të patrajtuara.

“Zbulimi i dy varrezave të reja masive nga Lufta e Kosovës, që përmbajnë rreth dy duzina viktima shqiptare të regjimit të Millosheviqit, është një kujtesë se sa të afërta në kohë dhe sa të patrajtuara mbeten pasojat rajonale të fushatës vrasëse të Beogradit në vitet ’90”, ka shkruar në X Mujanoviq.

Ai ka shtuar se mijëra viktima vazhdojnë të mbeten të zhdukura, ndërsa sipas tij, strukturat politike dhe normat e krijuara gjatë periudhës së Millosheviqit në rajon ende nuk janë reformuar.

“Mijëra viktima mbeten ende të zhdukura, strukturat politike dhe normat e vendosura nga Millosheviqi në gjithë rajonin mbeten të pareformuara, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të jetë i zhytur në përpjekjet e veta të kufizuara për t’i injoruar këto çështje”, ka deklaruar Mujanoviq.