LIVE | Përfundon pa marrëveshje takimi Kurti - Abdixhiku
Foto: Laura Hasani

LIVE | Përfundon pa marrëveshje takimi Kurti - Abdixhiku

Aktuale August 04, 2026 - 19:16
Lajm i përditësuar

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi tre orësh i kryetarit të LVV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Lumir Abdixhiku.

Kurti ka folur pas takimit, ku tha se nuk kanë arritur një marrëveshje politike, por shtoi se do të provojnë sërish në takime të ardhshme deri më 6 gusht kur pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, transmeton Zeri.info.

“Marrëveshje politike nuk kemi, diskutuam për qasje të ndryshme, mundësi përpara, kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor”, deklaroi Kurti para mediave pas takimit me Abdixhikun.

Kurti tha se nësë nuk ka marrëveshje në ditët në vazhdim, pavarësisht mosdëshirës, do të ketë zgjedhje.

Ai bëri të ditur se ende nuk ka marrëveshje me LDK-në, por shtoi se komunikimi dhe takimet do të vazhdojnë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që garanton stabilitet institucional.

“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional”, deklaroi Kurti.

Ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, ndonëse, sipas tij, asnjëra palë nuk i dëshiron ato.

Kurti foli edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka diskutuar emra konkretë me LDK-në dhe se synon një kandidat gjithëpërfshirës, jashtë polemikave partiake, i cili do të gëzonte mbështetje të gjerë në Kuvend.

Ndërkaq, Kurti kritikoi kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, duke thënë se, pavarësisht gatishmërisë së tij për takim, një takim i tillë nuk është realizuar. Po ashtu, tha se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar çështjet që lidhen me zgjidhjen e situatës politike.

Kurti e Abdixhiku, që dy orë në takim

Kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku janë duke vazhduar takimin të cilin e kanë nisur tash e rreth dy orë.

Deri tani nuk ka asnjë detaj nga takimi, derisa të dyja palët kanë bërë të ditur para se të hynin në takim se do ta flasin pasi të përfundojnë takimin, shkruan Zeri.info.

Abdixhiku me Osmanin dhe Hazirin në takim me Kurtin

Ka nisur takimi mes kryetarit të LVV-së Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku.

Image

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shoqëruar në takim nga nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, derisa Kurti ishte bashkë me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Kurti dhe Abdixhiku mbërrijnë në Kuvend

Image

Kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë arritur në Kuvend.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga Hekuran Murati, ndërsa Abdixhiku me Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin, raporton Zeri.info.

“Ne e kemi të mjaftueshme mbështetjen sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita. Sepse kushtetutshmëria është e tillë që presidentin e sheh si shprehje të unitetit të popullit dhe këtu opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, ka deklaruar Kurti para takimit. /Zëri

Image