Arrestimi i Osman Selmanit në Serbi, flet i biri: Akuzat për krime lufte janë të pabazuara, kemi dëshmi se ishte refugjat

Arrestimi i Osman Selmanit në Serbi, flet i biri: Akuzat për krime lufte janë të pabazuara, kemi dëshmi se ishte refugjat

Aktuale August 07, 2026 - 15:11

Osman Selmani, shtetas i Kosovës, vazhdon të mbahet në paraburgim në Beograd, pasi u ndalua më 1 korrik në pikën kufitare Merdar – Mutivodë, nën dyshimin për krime lufte.

Familja e tij i ka mohuar akuzat, duke thënë se ato nuk mbështeten në prova dhe se posedojnë dokumente që, sipas tyre, dëshmojnë se Selmani nuk ndodhej në Kosovë në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale.

Në një deklaratë për Tëvë1, djali i tij, Arben Osmani, tha se babai i tij tashmë ndodhet muajin e dytë në paraburgim dhe se familja beson se akuzat janë të pabazuara.

“Babai ynë, Osman Selmani, tashmë muajin e dytë ndodhet në paraburgim në Beograd, mbi bazën e një akuze për një vepër të pretenduar të krimit të luftës të kryer në qershor të vitit 1999 në Kosovë, për të cilën ne si familje konsiderojmë se nuk është e mbështetur me prova relevante. Familja Selmani ka siguruar vërtetimin origjinal të Komitetit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, si dhe deklaratën e përfaqësuesit të organizatës ‘Nëna Terezë’ nga Resnja, të cilat dëshmojnë se e gjithë familja Selmani, në kohën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja në territorin e Prishtinës, ndodhej si familje refugjate në kamp, e më pas në strehim familjar në Resnjë, në Maqedoninë e sotme të Veriut. Presim që Gjykata në Beograd t’i shqyrtojë me kujdes këto dëshmi dhe fakte, të cilat tregojnë qartë rrethanat reale dhe të marrë një vendim të drejtë, në mënyrë që sa më shpejt të mund ta përqafojmë përsëri babanë tonë. Na mungon babai ynë çdo ditë. Presim me besim ditën kur drejtësia do të vihet në vend dhe ai do të kthehet pranë familjes së tij”, ka thënë Arben Osmani.

Sipas familjes, dokumentet e siguruara nga Komiteti i Kryqit të Kuq i Maqedonisë dhe deklarata e organizatës humanitare “Nëna Terezë” në Resnjë dëshmojnë se në qershor të vitit 1999 familja Selmani ishte e strehuar si refugjate në Maqedoninë e Veriut.

Familjarët shprehen se presin që këto prova të shqyrtohen nga autoritetet gjyqësore në Beograd dhe që, sipas tyre, të vërtetohet pafajësia e Osman Selmanit. /Tëvë1