Konfirmohen mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar në Zubin Potok
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë vazhdimit të veprimeve hetimore në rastin e Zubin Potokut është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
“Gjatë vazhdimit të veprimeve në terren është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Institucionet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rastit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional. /Zëri