Nagavci: Gjuajtja me vezë mund të jetë aksion politik kur bëhet për kauza jetike, siç ka bërë LVV-ja [video]
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka reaguar pas situatës së krijuar sot në Kuvend, ku u hodh me vezë kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
Kurti pasi nuk prezantoi emër për kryeparlamentar u hodh me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
E pas kësaj situate të tensionuar u ndërpre seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Lidhur me veprimin e Kadrijajt ka reaguar deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se gjuajtja me vezë mund të jetë aksion politik kur bëhet për kauza jetike për vendin, siç ka bërë Lëvizja Vetëvendosje kur ka protestuar kundër Gjykatës Speciale, kundër Demarkacionit e Zajednicës.
Postimi i plotë:
Gjuajtja me vezë mund të jetë aksion politik kur bëhet për kauza jetike për vendin, siç ka bërë Lëvizja VETËVENDOSJE! kur ka protestuar kundër Gjykatës Speciale, kundër Demarkacionit e Zajednicës.
Po, ne kemi përdorur aksione të tilla politike, për të cilat jemi përballur me rrahje e burgosje nga policia, ndonëse kauzat kanë qenë tepër të mëdha e në interes të vendit.
Dallimi është se në atë kohë janë ndjekur aktivistët, kurse kriminelët kanë qenë të lirë, madje janë pritur edhe në zyrën e kryeministrit, ndërsa sot në qeverisjen tonë policia nuk përballet me aktivistë politik por angazhohet kundër kriminelëve dhe për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.
Pse bëhet zhurmë sot kur çështja është të gjejmë një marrëveshje për Presidentin e Republikës, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje?
Këtë po e kërkojmë ne.
Po opozita, çfarë po kërkon?
Sot, për çfarë po gjuhen vezë në Kuvend? Për të penguar një marrëveshje që do ta mbante vendin larg zgjedhjeve.
Dallimi është i qartë: ne po kërkojmë zgjidhje për vendin, ndërsa opozita po kërkon zgjedhje.
Dhe pyetja është pse po kërkojnë zgjedhje të reja kur e dinë paraprakisht që rezultati do të jetë i njejtë? Çfarë halli kanë, pse kjo gjuhë banale, pse gjithë kjo urrejtje?.