Lladrovci: Kush shkel Kushtetutën, s’duhet të ketë të drejtë në poste publike apo në Kuvend për pesë mandate
Foto: Laura Hasani

Lladrovci: Kush shkel Kushtetutën, s’duhet të ketë të drejtë në poste publike apo në Kuvend për pesë mandate

Aktuale August 12, 2026 - 16:47

Lidhur me aktualitetin politik, Ramiz Lladrovci përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se “Kushtetuesja duhet të hedhë poshtë çdo mandat të deleguar, nga 7 Gushti e këndej”.

“Të sanksionojë uzurpatorët e posteve dhe përgjegjësive që nuk ju takojnë dhe të marrë përsipër organizimin e zgjedhjeve të reja”.

Postimi i plotë:

Kushdo që shkel Kushtetutën me vetëdije, nuk do të duhej të ketë të drejtë në postet publike e as për Kuvend për pesë mandatet e ardhme

Çfarë po presin deputetë e Kuvendit që urgjent nuk e dërgojnë kërkesën për saktësimin e sanksioneve ndaj të gjithë atyre që e shkaktuan situatën kushtetuese që ndodhet Kosova. Për shkeljen e Kushtetutës, ka fajtorë.

Është shkelur jo vetëm Kushtetuta dhe afati nga vendimi i Kushtetueses, por po cenohet seriozisht rendi kushtetues e demokratik, nuk është ftuar seanca, edhe pse është obligim kushtetues përmbyllja e seancës. Edhe për shkeljen e këtyre afateve ka fajtorë.

Cili ka legjitimitet aktualisht ta ftojë seancën dhe cilat janë sanksionet për atë që nuk e thërret seancën për përmbylljen e Konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për bindjen time, Kushtetuesja duhet të hedhë poshtë çdo mandat të deleguar, nga 7 Gushti e këndej. Të sanksionojë uzurpatorët e posteve dhe përgjegjësive që nuk ju takojnë dhe të marrë përsipër organizimin e zgjedhjeve të reja.

Kushdo që shkel Kushtetutën me vetëdije, nuk do të duhej të ketë të drejtë të kandidojë as në postet publike e as për Kuvendin e Republikës për pesë mandatet e ardhme.

Mjaft me paudhësi, Kosova as qytetarët nuk ua kanë borxh!