Deliu-Kodra: Kosova po rrezikon të shkojë në anarki, PDK-ja nuk do të rrijë duarkryq 
Foto: Laura Hasani

Deliu-Kodra: Kosova po rrezikon të shkojë në anarki, PDK-ja nuk do të rrijë duarkryq 

Aktuale August 12, 2026 - 23:16

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar zhvillimet e fundit në Kuvend, duke thënë se shumica parlamentare po përpiqet ta paraqesë situatën si normale, pavarësisht, sipas saj, shkeljeve të rendit kushtetues.

Deliu-Kodra ka deklaruar se Kosova po rrezikon të shkojë drejt anarkisë për shkak të, siç e ka quajtur ajo, “përmbysjes së rendit kushtetues”, duke përmendur edhe shkeljen e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Kemi një kastë politike e cila me vetëdije merr vendime që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës. PDK-ja s’do të rrijë duarkryq, do të bëjmë përpjekje me të gjitha forcat, qoftë me veprime brenda Kuvendit, sepse ai është vendi i deputetëve”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ajo ka kritikuar shumicën parlamentare, duke thënë se nuk po qeveris, por po bllokon edhe jetën politike të opozitës.

“Me të gjitha format demokratike, me të gjitha rrugët e mundshme, do të jemi kudo për ta penguar këtë përpjekje të delegjitimim të institucioneve”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera, deputetja e PDK-së ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje se nuk e njohin Kushtetutën. /klankosova