Adnan Rrustemi mohon lidhjet familjare me Skender Llugiqin
Foto: Laura Hasani

Adnan Rrustemi mohon lidhjet familjare me Skender Llugiqin

Aktuale August 12, 2026 - 23:36

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, kanë për qëllim ta lidhin atë me një person të arrestuar, duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe si përpjekje për goditje politike.

Rrustemi ka dënuar fillimisht gjuhën e përdorur ndaj Ramush Haradinajt, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe nuk mund të arsyetohet pavarësisht se nga kush vjen.

“Së pari, gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen.”

Sipas tij, përplasjet politike nuk duhet të kalojnë në gjuhë fyese apo kërcënuese.

“Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër.”

Ndërkohë, Rrustemi ka mohuar kategorikisht çdo lidhje familjare me personin për të cilin, sipas tij, janë bërë aludime.

“Së dyti, aludimet për lidhje familjare me të arrestuarin janë krejtësisht të pabazuara.”

Ai ka sqaruar se ka prejardhje familjare nga Dobraja e Madhe, por ka theksuar se personat e apostrofuar nuk janë pjesë e familjes së tij.

“Nëna ime ka vetëm dy vllëzër, babai i nënës sime ka qenë djal i vetëm. Asnjëri nga të apostrofuarit nuk janë këta.”

Rrustemi ka thënë se tentativat për ta lidhur emrin e tij me këta persona janë të motivuara politikisht.

“Prandaj çfarëdo tendence për të lidhur emrin tim me këta emra, është veç një përpjekje për goditje politike, të cilat nuk e ndikojnë veprimtarinë time politike.”

Në fund, deputeti i Vetëvendosjes ka kërkuar tërheqjen e pretendimeve dhe ka paralajmëruar padi.

“Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi.”