Gjini: 400 mijë serbë jashtë Kosovës pritet të marrin shtetësi, Kurti po i jep Serbisë materien
Foto: Laura Hasani

Gjini: 400 mijë serbë jashtë Kosovës pritet të marrin shtetësi, Kurti po i jep Serbisë materien

Aktuale August 12, 2026 - 23:58

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur një “alarm” të fuqishëm që, sipas tij, ndërlidhet me ndryshimet e rrezikshme demografike dhe politike që po i kanosen Kosovës. 

Gjini ka thënë se plane të tilla do të tjetërsojnë tërësisht realitetin politik në vend.

Sipas kreut të Aleancës, një numër masiv i serbëve që nuk jetojnë fare në Kosovë pritet të pajisen me dokumente zyrtare të shtetit, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në proceset e ardhshme vendimmarrëse dhe zgjedhore.

“400 mijë serbë jo të Kosovës kanë me marrë shtetësi në Kosovë. Kanë me ndërru demografinë, kanë me ndërru politikën,” deklaroi me shqetësim të madh Gjini.

Gjini ka drejtuar gishtin direkt nga kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar se po bën lëshime substanciale në dëm të sovranitetit real, ndërsa po mjaftohet vetëm me populizëm dhe pamje sipërfaqësore për të mashtruar opinionin publik.

“Ata e marrin materien. Qeky njeri Serbisë ja jep materjen që është e përdorshme, e për veti i merr simbolikat,” nënvizoi kryetari i Aleancës, duke sqaruar se politika e tanishme po dorëzon kontrollin real mbi territorin dhe popullsinë në këmbim të disa fitoreve të rreme populiste”, tha ai në Kanal 10.