Tahiri: Prokuroria të veprojë, po shkelen normat juridike në Kosovë
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, duhet të veprojnë për situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri tha se Kuvendi është jofunksional dhe, sipas tij, po pamundësohet ushtrimi i funksionit të deputetëve.
“Në Kosovë sot e kemi Kuvendin pa institucione, jofunksional, të uzurpuar dhe njëkohësisht kemi 17 ministra që shkojnë në zyre në mënyrë antiligjore. Institucionet përgjegjëse të drejtësisë, Prokuroria duhet të veprojë, sepse po shkelen krejt normat juridike”, ka deklaruar Tahiri, raporton Klankosova.tv.
Ai tha se Aleanca, në koordinim me partitë që kanë qenë në opozitë, ka kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, por sipas tij nuk kanë marrë përgjigje.
“Në rrethanat në të cilat jemi sot si Kosovë dhe në rrethanat në të cilat është sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, tregohet jo vetëm për një emergjencë kombëtare, mirëpo edhe për një tendencë të rendit kushtetues dhe, njëkohësisht, për pamundësimin e ushtrimit të funksionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës, aty ku ne kemi dhënë betimin solemn.Ne sot e kemi dërguar një kërkesë zyrtare si Aleancë, por në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, duke kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, z. Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur të kalojë afati 48-orësh, në bazë të përcaktimit të Rregullores së Kuvendit, të mbahet seanca. Deri tani nuk kemi pasur asnjë përgjigje, asnjë koment nuk kemi marrë”, deklaroi Tahiri në konferencën për media.