Gjermania i dhuron Kosovës rreth 3 milionë euro për avancimin e kapaciteteve të FSK-së
Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin e donacionit gjerman “Enable & Enhance Initiative”, me vlerë rreth tre milionë euro.
Marrëveshja u nënshkrua sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe atasheu gjerman i mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Guido Altendorf.
Në takim morën pjesë edhe drejtori i Departamentit për Logjistikë dhe Infrastrukturë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Imer Avdiu, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, si dhe përfaqësuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nënkolonel Fabian Vogl dhe major Claus Schumm.
Dugolli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai tha se pret që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe përmes projekteve të tjera të përbashkëta.
Projekti, në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, synon avancimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe mbështetjen e saj në përmbushjen e misionit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky donacion është vazhdimësi e projekteve të realizuara deri më tani në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë./Zëri