Shala: Policia e Kosovës pritet të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e brezit kufitar me Serbinë
Foto: Laura Hasani

Shala: Policia e Kosovës pritet të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e brezit kufitar me Serbinë

Aktuale August 15, 2026 - 08:11

Policia e Kosovës, pas marrjes së përgjegjësive për sigurinë e urës së Ibrit dhe Manastirit të Deçanit, pritet të ketë kompetenca të zgjeruara edhe për sigurinë e brezit kufitar me Serbinë në pjesën veriore të Kosovës. Kështu ka deklaruar eksperti i sigurisë, Drizan Shala, duke e lidhur këtë zhvillim me vlerësimin e KFOR-it për situatën e sigurisë në Kosovë dhe reduktimin e trupave ndërkombëtare.

Shala tha se ndryshimi i përgjegjësive nënkupton që Policia e Kosovës do të jetë vija e parë e ruajtjes së integritetit territorial dhe luftimit të aktiviteteve kriminale në këtë pjesë të kufirit, ndërsa KFOR-i do të ketë rol tjetër në kuadër të situatës së re të sigurisë.

“Padyshim, nga analiza dhe vlerësimi që është bërë nga ana e komandantit të KFOR-it, gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit, është dalë në përfundim që tashmë do të duhet të kemi një reduktim të trupave ndërkombëtare në bazë të situatës dhe ambientit të sigurisë që tani për tani nuk është i atakueshëm, nuk është në pozicionin e rrezikimit të lartë siç ka qenë më herët, që nga lufta apo themi sulmi terrorist që është bërë në Banjskë. Në bazë të vlerësimit është konstatuar që janë tri elemente esenciale që tanimë do të duhet të kemi kompetenca të zgjeruara për mekanizmin e sigurisë vendor, të Policisë së Kosovës, është çështja e sigurisë së urës së Ibrit, e sigurisë së Manastirit të Deçanit pra objekteve të kultit, dhe njëkohësisht elementi i tretë esencial i cili siç po shihet nga të gjitha gjasat gjatë javës së ardhshme do të implementohet, është çështja e sigurisë së brezit kufitar me Serbinë, respektivisht të pjesës së sigurisë së kufirit me pjesën veriore të Kosovës. Pra, deri më tani Policia e Kosovës pjesën tjetër të kufirit me Serbinë e ka kontrolluar, por meqenëse kemi pasur një situatë të tensionuar në pjesën veriore, asnjë segment i atyre kilometrave nuk kanë qenë ekskluzivisht në kuadër të kompetencave të komandantit të KFOR-it dhe ka bërë patrullime vetëm KFOR-i në brezin kufitar, ndërsa Policia e Kosovës ka vepruar si reagues i dytë. Por tanimë, nga java e ardhshme do të kemi një ndryshim të raporteve, Policia e Kosovës do të jetë vija e parë e ruajtjes së integritetit territorial dhe aktiviteteve kriminale, dhe më pastaj kjo e dëshmon faktin që kjo do i jep mundësi Kosovës që në planin afatgjatë të bëhet edhe demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai për Ekonomia Online.

Shala tha se ndryshimi i rolit të Policisë së Kosovës ka nxitur reagime nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar, duke përmendur edhe reagimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj komandantit të KFOR-it.

“Ju e keni vërejtur, me të marrë informacionin real, faktik, përmes qëndrimit zyrtar të KFOR-it, ka pasur një konferencë nga Lista Serbe e cila ka kundërshtuar njëkohësisht në vazhdën e narrativës së Beogradit zyrtar, madje kemi patur një kërcënim indirekt nga vetë Aleksandër Vuçiç në drejtim të komandantit të KFOR-it, duke thënë që do ta njoftojë dhe do të marrë në bisedë konsultative apo informative komandantin e shtabit të ushtrisë së Serbisë, Mojsiloviçin, për të parë dhe për të ditur se çfarë ka ndodhur dhe si është aranzhuar gjithë situata. Që tani më në kuadër të kësaj ure nuk ekzistojnë më elementi i faktorit ndërkombëtar, por që në fakt kjo e dëshmon faktin për një profesionalizëm të Policisë së Kosovës të treguar gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit në mënyrë konstante, permanente, dhe prandaj është bërë një veprim i tillë”, tha ai.

Eksperti i sigurisë ka paralajmëruar gjithashtu për nevojën e kujdesit ndaj incidenteve në objektet e kultit, pasi, sipas tij, incidente të tilla mund të përdoren si argument nga Beogradi zyrtar për ta kundërshtuar rolin e institucioneve të Kosovës në garantimin e sigurisë.

“Ju e keni vërejtur edhe rastin në datën 10.08 të 2026-ës, ku në ditën e zgjerimit të kompetencave të Policisë së Kosovës, patëm një incident i cili ka qenë incident i izoluar në hapësirat e objektit të kishës në komunën e Lipjanit, dhe këto incidente ndoshta nga naiviteti mund të shkaktojnë pikërisht që të jepet argumenti narrativ dhe të formësohet argumenti narrativ për Beogradin zyrtar. Prandaj ne do të duhet të jemi të kujdesshëm, të vëmendshëm, se veprimet e tilla ti menjanojmë nga veprimet emocionale të pakontrolluara ndoshta të momentit të caktuar, por që në të ardhmen mund të na shkaktojnë problematika të ndryshme sepse dihet tanimë objektet e kultit kontrollohen dhe mbikëqyren nga ana e Policisë së Kosovës. Dhe pikërisht këtu do të jetë edhe elementi kyç, që një nga programet e inteligjencës së Serbisë, për të atakuar çështjen e sigurisë së brendshme dhe njëkohësisht për ta devalvuar punën e policisë dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë, mund të rikthehet më pastaj një kërkesë në drejtim të tyre që të ruhen prapë nga ana e KFOR-it këto objekte dhe këto hapësira të cilat tanimë janë në kuadër të Policisë së Kosovës dhe monitorimit të tyre”, tha ai.

Shala ka folur edhe për ndikimin që, sipas tij, ka moskonstituimi i Kuvendit dhe mosformimi i Qeverisë në sigurinë e Kosovës, duke thënë se kjo situatë prek edhe funksionimin dhe legjitimitetin e mekanizmave të sigurisë.

“Moskonstituimi i Kuvendit, mosformimi i qeverisë dhe institucioneve të tjera të dala nga 7 qershori, padyshim që atakojnë politikat e sigurisë, e atakojnë stabilitetin e sigurisë së Kosovës, por njëkohësisht e atakojnë edhe subjektivitetin e Republikës së Kosovës si shtet i cili prosperon në aspektin e rrugës euroatlantike. Ju e keni vërejtur faktin që ne kemi mekanizma të cilët de facto deri më tani janë jashtë mbikëqyrjes legjitime të autoritetit civil, sepse legalë janë, por janë jashtë mbikëqyrjes së legjitimitetit sepse tani më nuk kemi ministrat legjitim në kuadër të sistemit aktual udhëheqës qeverisës, por që këto mekanizma të sigurisë, qoftë policia, AKI-ja, dhe FSK-ja, kanë paraprakisht programet e tyre të planifikuara dhe në bazë të këtyre programeve po lejohet mundësia dhe mbarëvajtja e suksesshme e këtyre mekanizmave të sigurisë. Por që në të ardhmen mund të atakohen pikërisht ku ka nevojë vendimmarrja politike të jetë prezente, ajo mos të jetë legjitime, dhe kjo më pastaj mund ta devalvojë dhe mund ta cenojë rëndë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, tha ai.