Manxhuka sqaron takimet e Kurtit pas arrestimit të të dyshuarit për spiunazh
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, ka reaguar lidhur me raportimet për një takim të mëparshëm mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Fehim Salit, i cili është arrestuar më 13 gusht në Merdar nën dyshimin për spiunazh.
Manxhuka ka thënë se gjatë mandatit të tij, Kurti ka zhvilluar takime me përfaqësues të shumta të organizatave të komuniteteve joshumicë që janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë.
Sipas tij, fakti që një person është takuar më herët me kryeministrin nuk nënkupton përjashtim nga përgjegjësia apo nga verifikimet e institucioneve të sigurisë.
“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd”, ka deklaruar Manxhuka, duke shtuar se institucionet e sigurisë po identifikojnë gjithnjë e më shumë raste me elemente të dyshimta të spiunazhit.
Ai ka përgëzuar punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në zbulimin e këtyre rasteve.
Fehim Sali u arrestua më 13 gusht në pikën kufitare në Merdar, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Ai dyshohet për bashkëpunim me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA), ndërsa hetimet për rastin janë ende në zhvillim.