Nagavci për presidentin/en: Pres që sa më parë të arrijmë pajtueshmëri me LDK-në
Koha po ecën, por marrëveshja politike për presidentin ende nuk ka marrë epilog. Me 4 tetorin si afat për përfundimin e mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, partitë politike vazhdojnë të mos kenë dakordësi, madje as për një emër konkret që do të mund të zgjidhej në krye të shtetit. Edhe pas takimeve të fundit, palët thonë se janë ende në fazën e diskutimeve për kriteret dhe parimet, ndërsa emri mbetet për t’u përcaktuar.
Në këtë situatë, deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci për Ekonomia Online thotë se pret që shumë shpejt të ketë një pajtueshmëri, duke bërë të ditur se LVV-ja po vazhdon komunikimin me partitë e tjera për tejkalimin e ngërçit politik.
Nagavci ka deklaruar se takimi i fundit me LDK-në ka qenë konstruktiv dhe se pret që ai të pasohet me një marrëveshje për një president konsensual.
“Sikurse e dini, ne kemi pasur javën e kaluar një takim me kryetarin e LDK-së dhe përfaqësuesit e LDK-së, një takim që shkoi në një frymë mjaft konstruktive dhe prej të cilit besoj e pres që shumë shpejt të vijmë deri te një pajtueshmëri në lidhje me një president konsensual. Sa i përket partive të tjera, ju e dini që PDK-ja ka deklaruar që nuk do të marrë pjesë në takime, gjithashtu ka pasur një refuzim edhe nga ana e AAK-së. Nuk e vlerësoj që janë qëndrimet e duhura, gjithsesi është zgjedhja e tyre të cilën ne e respektojmë. Por pres që sa më parë të arrijmë pajtueshmëri me LDK-në e edhe të konstituojmë të gjitha institucionet me mandat të plotë edhe të vazhdojë puna”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka sqaruar se në takimin e fundit nuk është arritur marrëveshje për një emër konkret, por për kriteret dhe parimet që duhet t’i përmbushë personi që do të zgjidhet president.
“Në fakt nuk kemi rënë dakord për një emër, por për kriteret, parimet se kush mund të jetë personi i cili mund të jetë në pozitën e presidentit apo presidentes në mënyrë që të shprehë edhe unitetin e popullit ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe të jetë i pranueshëm për të gjithë deputetët që duhet të marrin pjesë në votim, sepse sikurse e dini, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj dhe me LDK-në përbën minimumin e votave të nevojshme, pra gjithsej 80 deputetë të cilët janë në sallë. Andaj është shumë e rëndësishme që të arrihet një pajtueshmëri e plotë edhe të përmbyllet me sukses ky proces. Unë jam optimiste, duke pasur parasysh në radhë të parë nevojën edhe pritshmëritë e qytetarëve që pas një kohe shumë të gjatë, gati dy vjet bllokade dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme, të cilat është e sigurt që nuk sjellin asgjë të reja apo ndonjë ndryshim që do të mundësonte një situatë tjetër në raport me forcat politike, të ketë reflektim prej të gjithë deputetëve edhe të marrin pjesë në procesin e votimit për presidentin/presidenten e vendit dhe të vazhdojë puna edhe në Kuvend, edhe në Qeveri me mandat të plotë, por natyrisht edhe në Presidencë”, është shprehur ajo.
E pyetur nëse brenda LVV-së është diskutuar ndonjë emër konkret për president, Nagavci ka thënë se partia e saj në të kaluarën ka bërë disa propozime, por se këtë herë nuk dëshiron të dalë me emra para se të arrihet një dakordësim me partitë e tjera.
“Ju e dini që Lëvizja ka bërë përpjekje të njëpasnjëshme, ka qenë maksimalisht e përkushtuar e angazhuar që vendit t’i ofrojë institucionet, përfshirë këtu edhe propozimet për president, e nga ana e përfaqësuesve propozime për doktoreshën Feride Rushiti e cila nuk ishte pjesë e Lëvizjes, por edhe propozime si zëvendëskryeministri apo kryetari i Lëvizjes Glauk Konjufca, por edhe zonja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të gjitha këto në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Kjo ishte pas zgjedhjeve paraprake, jo këtyre të fundit. Në këtë situatë në të cilën jemi, natyrisht se Lëvizja ka propozimet, por nuk mund të dalim tani me emra sepse ju e dini që akuza që i bëhej Lëvizjes ishte pse keni dalë me propozime konkrete pa pasur një marrëveshje paraprake. Andaj kemi respektuar edhe kërkesat e partive të tjera edhe po presim që të ketë një dakordësim përpara se të vazhdojmë me propozimin e emrit, dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më parë në mënyrë që të vazhdojmë punën. Pra të konstituohet pastaj fillimisht kryesia dhe Kuvendi, e pastaj edhe të votohet Qeveria edhe presidenti apo presidentja”, ka thënë Nagavci.
Ndërkohë, ajo ka treguar se pavarësisht refuzimeve nga PDK-ja dhe Aleanca, Kurti po vazhdon përpjekjet për komunikim me partitë e tjera politike.
“Ju e dini që përkundër refuzimeve edhe të kryetarit të PDK-së por edhe të Aleancës, Kryeministri Kurti ka vazhduar të dërgojë letra, të shprehë gatishmërinë e tij, pra pa hezitim, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për interesin e vendit. Në këtë linjë ne kemi autorizuar si kryesi Kryeministrin Kurti, kryetarin e Lëvizjes, që të vazhdojë përpjekjet e tij në këtë drejtim. Ka pasur komunikim me krerët e partive të tjera, unë besoj që vazhdon ky komunikim edhe pres që shumë shpejt të kemi edhe takimet e radhës edhe zgjidhjen e këtij ngërçi politik”, ka deklaruar ajo.
E pyetur për deklaratën e kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, se takimet do t’i pranonte vetëm në prani të kamerave në një studio televizive, Nagavci e ka cilësuar këtë qëndrim si jo serioz.
“Nuk e paskam dëgjuar këtë propozim të zotit Gjini. Mendoj ai e di edhe vetë që diskutimet për çështje kaq të rëndësishme nuk bëhen në prani të kamerave dhe më duket jo serioze nga ana e tij një deklaratë e tillë”, ka shtuar Nagavci.
Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.
Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit.
Si rezultat i mosarritjes së një konsensusi mes partive politike parlamentare për emrin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kuvendi i dalë nga votimet e 7 qershorit ka mbetur pa u konstituuar, me gjithë kalimin e afatit kushtetues për një gjë tillë, teksa subjektet politike duken ende larg një marrëveshjeje për presidentin.