KFOR-i: Prania jonë do të rritet në disa zona të veriut, përfshirë Mitrovicën e Veriut
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se po vazhdon procesin e optimizimit të pranisë së tij në Kosovë, duke theksuar se ky proces nuk nënkupton tërheqjen e misionit nga veriu apo transferimin e mandatit të tij te institucionet vendore.
KFOR-i ka bërë të ditur se vazhdon të përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
Sipas KFOR-it, procesi i optimizimit, i paralajmëruar më 12 qershor 2026, po zbatohet në mënyrë graduale, të koordinuar dhe të kalibruar, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özcan Ulutaë, tha se përkushtimi i misionit për sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë mbetet i pandryshuar.
“Përkushtimi i KFOR-it për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit tonë në terren, përfshirë patrullimet e rregullta, postet e vëzhgimit dhe angazhimet me komunitetet lokale”, tha Ulutaë.
Ai shtoi se aktivitetet e përditshme të KFOR-it do të zhvillohen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
“Prania e KFOR-it do të rritet në disa zona”
Në njoftim thuhet se prania e KFOR-it do të rritet në disa zona, përfshirë, por jo vetëm, Mitrovicën e Veriut dhe pjesë të tjera të veriut të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë të vlerësojë rregullisht situatën në terren dhe ta përshtatë pozicionimin e tij në mënyrë që të kontribuojë në sigurinë afatgjatë.
Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi lidhet me Urën e Ibrit në Mitrovicë, ku KFOR-i po kalon gradualisht nga prania e përhershme në një formë tjetër të pranisë dhe monitorimit.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff, tha se vendimet për praninë e KFOR-it në urë bazohen në vlerësimin e situatës së sigurisë.
“KFOR-i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo i takon BE-së dhe institucioneve përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, deklaroi Wikoff.
Ai theksoi se edhe pas përfundimit të pranisë së përhershme në urë, personeli i KFOR-it do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth saj.
KFOR-i gjithashtu ka sqaruar se zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të tij. Sipas misionit, Policia e Kosovës është institucioni vendor i ligjshëm për zbatimin e ligjit dhe reaguesi i parë në çështjet e rendit dhe sigurisë publike.
KFOR-i thekson se ky proces nuk përbën transferim të mandatit apo përgjegjësive të tij te Policia e Kosovës. Misioni do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij të veçantë, në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244.
Sipas KFOR-it, procesi i optimizimit mund të kthehet prapa nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë apo në stabilitetin rajonal./Zëri