Rigjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend, Konjufca: Nuk ndihem fajtor

Rigjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend, Konjufca: Nuk ndihem fajtor

Aktuale August 26, 2026 - 10:15

Në rigjykimin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në kohën kur ai ishte deputet, ai ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij.

“Jo, nuk ndihem fajtor”, tha ai.

Prokurori Dardan Qela ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit mbetet prapa aktakuzës për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm, duke thënë se pret që fajësia e të pandehurit të vërtetohet në fund të procesit gjyqësor.

“Prokuroria e Shtetit mbetet në tërësi në aktakuzën sa i përket veprës penale të përdorimit të armës, mjetit të rrezikshëm. Vlerësojmë me prova personale dhe materiale të cilat janë propozuar në aktakuzë dhe të cilat janë shtjelluar pranë kësaj gjykate edhe në seancat e shqyrtimit gjyqësor, e po ashtu edhe në seancat e rigjykimit, jemi të bindur se në fund do të vërtetohet fajësia e të pandehurit”, tha ai.

Në anën tjetër, avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, ka thënë se ngjarjet e vitit 2016 duhet të shihen në kontekstin e situatës së atëhershme politike dhe institucionale në Kosovë. Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe provat materiale të paraqitura në aktakuzë.

“Viti 2016 ishte një periudhë e tensionuar politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës. Incidentet e ashtuquajtura me gaz lotsjellës në Kuvend ndodhën në kuadër të kundërshtimit të opozitës ndaj ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Ky është konteksti politik në të cilin duhet të kuptohen veprimet e asaj kohe. Mbrojtja vlerëson se një veprim politik nuk mund të shkëputet nga kauza, motivi dhe qëllimi që e kanë nxitur atë. Por jo çdo marrëveshje politike është e pakundërshtueshme dhe po ashtu jo çdo veprim jo normal për ta kundërshtuar atë përbën qëllim kriminal dhe vepër penale. Ku është prova materiale sot? Një fotografi që ju e keni në aktakuzë nuk vërteton mjetin me të cilin ju pretendoni”, tha ajo.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”.

Për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën kishte arritur parashkrimi, akuza ishte refuzuar.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, duke e ngarkuar me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin kishte përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhjeje kishte hedhur gaz lotsjellës në sallë.

Aktakuza thotë se, si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve ishte pamundësuar nga tymi që kishte shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit ishin detyruar ta braktisnin sallën. /eo