Bajrami: Vetëm pesë ditë deri më 1 shtator, prindërit ende pa mjetet për blerjen e librave
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesat në ndarjen e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore, derisa kanë mbetur vetëm pesë ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor.
Përmes një postimi, Bajrami ka thënë se prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet nga MASHT-i, ndërsa sipas saj, ministri u ka kërkuar atyre që të mos i blejnë librat, pasi janë duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese.
“Vetëm pesë ditë deri më 1 shtator!
Prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet nga MASHT-i për blerjen e librave. Për më tepër, ministri u ka thënë prindërve: mos i bleni librat, sepse jemi duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka ironizuar situatën, duke thënë se tashmë, me afrimin e 1 shtatorit, është e qartë se kush mund ta ketë pozitën më të favorshme në negociatat për çmimet e teksteve.
“Tash, kur kanë mbetur vetëm pesë ditë deri më 1 shtator, qëllojani se pozita e kujt është forcuar në këto negociata”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka ngritur shqetësimin edhe për prindërit në komunat ku nuk ka librari, duke theksuar vështirësitë me të cilat përballen ata çdo vit për të siguruar të gjitha tekstet shkollore.
“Mos të harrojmë se ka komuna që nuk kanë as librari. E prindërit e dinë shumë mirë çka heqin çdo vit t’i gjejnë të gjitha librat, sepse shtëpitë botuese si biznese private që janë i shtypin librat bazuar në kërkesë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së e ka cilësuar situatën si “amatera” dhe ka kritikuar ndryshimin e mënyrës së furnizimit me tekste shkollore, duke thënë se një nga proceset që, sipas saj, ka funksionuar mirë në arsim ka qenë pikërisht sigurimi i librave për nxënësit.
“Amatera! Një prej gjërave që ka funksionuar mirë në arsim ka qenë pikërisht furnizimi i nxënësve me libra edhe këtë e përmbyset”, ka shtuar Bajrami.