Mbledhja elektronike e Qeverisë në detyrë, Bajrami: Vendime të territ
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kritikuar Qeverinë në detyrë për mbledhjen elektronike që ka mbajtur mbrëmjen e së mërkurës.
Sikur herën e kaluar, edhe në këtë mbledhje ekzekutivi në detyrë ka marrë një mori vendimesh, për të cilat ka reaguar deputetja Bajrami.
“Aq të zënë janë, sa që mbledhjet e Qeverisë i mbajnë elektronike, edhe atë bile natën, me gjuhen e Albinit në terr. Normal, kur është puna me nda mjete për dosta, me bë pagesa e me nda buxhet, vendimet merren shpejt, natën, në terr.”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur rastin e moskompensimit të bujqve, derisa ka kritikuar mënyrën e ndarjes së mjeteve tjera nga ekzekutivi në detyrë.
“Pse, a mos po marrin vendim me i kompensu bujqit? Ata që punojnë ditë e natë që ne ta kemi sofrën plot. Atyre që breshëri ua shkatërroi për pak minuta mundin dhe të ardhurat e një viti të tërë. Për ata s'ka asnjë vendim. Vendimet e kësaj mbledhjeje dhe mënyrën se si po ndahet paraja publike duhet të analizohen një nga një.”, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë se kur është puna për interesa politike e partiake, sipas saj, po gjendet koha e buxheti.
“Kur është puna për qytetarët e fermerë që punojnë e prodhojnë, ata presin. Deri kur presin?”, ka thënë tutje ajo.