Haxhiu kritikon Qeverinë për vonesën e subvencionimit të teksteve shkollore
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për vonesën në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore, vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Në një konferencë për media, Haxhiu e ka cilësuar vonesën si “neglizhencë dhe papërgjegjësi totale”, duke drejtuar kritika ndaj ministrit në detyrë të Arsimit, Hajrulla Çekut.
Ajo ka thënë se procedurat për subvencionimin e teksteve është dashur të përfundonin shumë më herët, duke iu referuar Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Udhëzimit Administrativ 13/2016.
“Miratimi i katalogut dje, që ka qenë data 27, jo vetëm që është i vonuar, por është një presion që është bërë te prindërit, të cilët normalisht kanë pritur që fëmijët e tyre të pajisen me tekste dhe të jenë gati për fillimin e vitit shkollor”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, Ministria e Arsimit duhet që në muajin qershor të themelojë komisionin për negocimin e çmimeve me shtëpitë botuese, ndërsa drejtoritë komunale kanë pasur afat deri më 15 korrik për dorëzimin e raporteve përfundimtare.
“Po flasim për 15 korrikun. Llogaritni prej atëherë deri më datën 27 gusht sa ditë kanë pasur kohë për t’u përgatitur. Për mospërgatitje nuk nënkupton asgjë tjetër, pos papërgjegjësi totale”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka ngritur kritika edhe për vlerën e subvencionimit, duke pretenduar se ajo nuk i mbulon të gjitha shpenzimet e prindërve. Ajo ka paraqitur disa fatura, për të cilat ka thënë se janë publikuar nga prindër në komentet e faqes së Ministrisë së Arsimit.
Sipas saj, për klasën e parë vlera e teksteve në një faturë është 63.87 euro, ndërsa subvencionimi është 60 euro. Për klasën e gjashtë, ajo ka përmendur një faturë prej 105.80 eurosh, kundrejt subvencionimit prej 90 eurosh, ndërsa për klasën e nëntë ka përmendur vlerën prej 122.60 eurosh, me subvencionim prej 90 eurosh.
Deputetja ka pretenduar se në këto shuma nuk përfshihen materialet për lëndët zgjedhore që, sipas saj, janë të obligueshme, si dhe shpenzime të tjera për mjete shkollore.
“Unë i kam marrë këto pikërisht në faqen e ministrisë, në komentet që kanë shkruar prindërit. Janë faturat që ata kanë, pra vlerën e teksteve totale, domethënë edhe subvencionimin”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka kritikuar gjithashtu Hajrulla Çekun për periudhën e tij në qeverisje, duke e akuzuar se është marrë më shumë me bllokimin e Komunës së Prishtinës sesa me përmbushjen e detyrave institucionale.
Në fund, Haxhiu ka kërkuar që institucionet të përfundojnë me kohë të gjitha procedurat, në mënyrë që nxënësit të mos përballen me vonesa dhe prindërit me shpenzime shtesë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.