Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni ngre alarmin: Nga 310 të pranuar, vetëm 9 shqiptarë në Shkollën e Policisë

Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni ngre alarmin: Nga 310 të pranuar, vetëm 9 shqiptarë në Shkollën e Policisë

Aktuale August 28, 2026 - 10:53

Aleanca për Shqiptarët ka ngritur shqetësim për përfaqësimin e shqiptarëve në shkollën e mesme të policisë “7 Maji” në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një reagimi, kjo parti ka bërë të ditur se nga 310 nxënës të pranuar në këtë shkollë, vetëm 9 janë shqiptarë, duke pretenduar se bëhet fjalë për më pak se 3 për qind të numrit të përgjithshëm.

Aleanca për Shqiptarët ka theksuar se shkolla në fjalë përgatit kuadrot e ardhshme të Policisë dhe se të diplomuarve u garantohet punësimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Bëhet fjalë për një shkollë që përgatit kuadrot e ardhshme të policisë dhe ku të diplomuarve u garantohet punësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo do të thotë se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme”, thuhet në reagim.

Partia ka ngritur shqetësim edhe për gjuhën e mësimit, duke pretenduar se procesi mësimor zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar koalicionin VLEN dhe funksionarët shqiptarë në Qeveri dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke kërkuar përgjigje për atë që e cilëson si përfaqësim joadekuat të shqiptarëve.

“Ku është VLEN-i përballë këtij diskriminimi flagrant? Ku janë funksionarët shqiptarë në Qeveri dhe MPB? Si mund të heshtin kur shqiptarët përfaqësohen me më pak se 3 për qind në një institucion kaq të rëndësishëm për sigurinë e shtetit?”, thuhet në reagim.

Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar transparencë të plotë për konkursin, përfshirë numrin e kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, mënyrën e vlerësimit dhe arsyet që, sipas saj, kanë çuar në këtë rezultat.

“Pas gjithë premtimeve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, rezultati është 310 të pranuar dhe vetëm 9 shqiptarë. VLEN duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve, jo arsyetime”, ka deklaruar Aleanca për Shqiptarët. /Zëri