Propozimi i Bekim Sejdiut për president, LDK-ja nesër do ta mbledhë Kryesinë
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet nesër, pas marrëveshjes që arriti kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president të vendit, mëson gazeta Express.
Abdixhiku nesër do ta mbajë fillimisht një mbledhje me Kryesinë e partisë e më pas me Grupin Parlamentar.
Kreu i LDK-së tha sot se me LVV-në bënë një “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin, duke u dakorduar që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president.
Abdixhiku kërkoi që tani “pa vonesa” të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet qeveria e re dhe të zgjidhet Bekim Sejdiu president.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim presidentin e ardhshëm të republikës së Kosovës, prof. dr. Bekim Sejdiun”, tha ai në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, ku ishte i pranishëm edhe Sejdiu.