Abdixhiku takon ambasadorin gjerman, diskutojnë krizën institucionale pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

Abdixhiku takon ambasadorin gjerman, diskutojnë krizën institucionale pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

Aktuale September 02, 2026 - 15:36

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Gjatë takimit, Abdixhiku dhe ambasadori Rudolph diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në situatën e krijuar pas refuzimit të propozimit për presidentin e Republikës së Kosovës.

Abdixhiku vlerësoi se refuzimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja për president dhe pamundësia për të përmbyllur këtë proces institucional përbëjnë një zhvillim të pafavorshëm për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve demokratike të vendit.

“Kryetari Abdixhiku po ashtu theksoi se përkrahja e partnerëve strategjikë të Kosovës është e rëndësisë të veçantë për ruajtjen e stabilitetit institucional, konsolidimin demokratik të vendit dhe avancimin e agjendës së saj euroatlantike. Në takim u vlerësua gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në proceset që lidhen me zhvillimin demokratik dhe integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar lart rolin e saj si një prej partnerëve më të rëndësishëm strategjikë të vendit.