KPK-ja zgjedh Bahri Hysenin Zëvendëskryeprokuror të Shtetit
Foto: Laura Hasani

KPK-ja zgjedh Bahri Hysenin Zëvendëskryeprokuror të Shtetit

Aktuale September 02, 2026 - 17:48

Prokurori Bahri Hyseni është zgjedhur Zëvendëskryeprokuror i Shtetit me propozim të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi.

Caktimi i tij në këtë pozitë është bërë pasi ka marrë besimin nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Anëtarët e Këshillit Prokurorial zgjedhën prokurorin z.Bahri Hyseni në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit të Shtetit, me propozim të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnullah Gashi, për një mandat katër (4)-vjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një (1) mandat”, u tha në njoftimin e KPK-së pas mbledhjes së somte.

Në kuadër të rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi Mekanizmin e Raportimit Vjetor për vitin 2025, përkatësisht raportimet e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të cilët raportuan para anëtarëve të KPK-së.

Pas shqyrtimit të raportimeve, Këshilli miratoi Raportin e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, ndërsa nuk e miratoi Raportin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

“KPK, gjithashtu, u njoftua për pensionimin e prokurores në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula. Me këtë rast, Këshilli vendosi që propozimi për lirimin e saj nga detyra për shkak të pensionimit t’i përcillet Presidencës së Republikës së Kosovës, në pajtim me procedurat përkatëse ligjore”, thuhet në njoftim

Gjatë mbledhjes, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi dorëheqjen e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, z. Aleksandër Lumezi.

Në vijim, KPK shqyrtoi dhe miratoi Raportin e Vlerësimit të Performancës së shtatë (7) prokurorëve, në kuadër të lëndës KVPP/413/2026. Po ashtu, Këshilli refuzoi kundërshtimin e paraqitur nga një prokuror ndaj këtij raporti.

Këshilli shqyrtoi edhe kërkesën e një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për rihapjen e rastit të procedurës disiplinore, të cilën e refuzoi, pasi vlerësoi se nuk ekziston bazë ligjore për rihapjen e rastit, meqenëse çështja në fjalë është shqyrtuar dhe vërtetuar në të gjitha instancat gjyqësore.