Konjufca: Nderimi i Mlladiqit në Beograd, turp i thellë moral dhe politik
Foto: Laura Hasani

Konjufca: Nderimi i Mlladiqit në Beograd, turp i thellë moral dhe politik

Aktuale September 07, 2026 - 23:38

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas nderimeve shtetërore në Serbi për Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

Në një postim në X, Konjufca e ka cilësuar nderimin e Mlladiqit si turp të thellë moral dhe politik, duke kritikuar edhe pjesëmarrjen e ministrave në detyrë në ceremoninë e nderimit.

“Nderimi i një krimineli të dënuar lufte, krimet e të cilit një tribunal ndërkombëtar i ka përshkruar si ‘ndër më të rëndat të njohura nga njerëzimi’, është një akt turpi të thellë moral dhe politik”, ka shkruar Konjufca.

Ai tha se nderimet ushtarake ndaj Mlladiqit dhe pjesëmarrja e zyrtarëve qeveritarë përbëjnë, sipas tij, glorifikim institucional të një personi të dënuar për gjenocid.

Konjufca ka lidhur këtë veprim edhe me të kaluarën politike të Serbisë, duke përmendur presidentin aktual, Alleksandar Vuçiq, i cili gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit kishte shërbyer si ministër i Informacionit.

 “Për Republikën e Kosovës, kjo nuk është një debat abstrakt për historinë. Populli ynë e mbart kujtesën e masakrave, civilëve dhe fëmijëve të vrarë, dëbimeve masive dhe dhunës sistematike të kryer nga forcat shtetërore serbe”, ka deklaruar Konjufca.

Ai njëherësh shkroi, se Kosova e kundërshton çdo përpjekje për t’i paraqitur krimet e vërtetuara gjyqësisht si çështje interpretimi kombëtar apo autorët e dënuar si figura që meritojnë nderim.

  “Gjenocidi nuk merr një kuptim tjetër me kalimin e kohës dhe mohimi nuk mund ta fshijë dinjitetin e atyre që u vranë, u përndoqën dhe u dëbuan. Ne qëndrojmë në krah të popullit boshnjak, të viktimave dhe të mbijetuarve të Srebrenicës, si dhe të të gjitha familjeve, vuajtjet e të cilave nuk mund të pajtohen kurrë me glorifikimin e atyre që ishin përgjegjës për këto krime. Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë pa të vërtetën dhe as një të ardhme të besueshme evropiane të ndërtuar mbi nderimin e autorëve të krimeve që tronditën ndërgjegjen e njerëzimit”, shkroi mes tjerash Konjufca.