Aktivistët e “Liria ka Emër” para EULEX-it për ish-krerët e UÇK-së: Në emër të popullit, shpallni të pafajshëm
Foto: Laura Hasani

Aktivistët e “Liria ka Emër” para EULEX-it për ish-krerët e UÇK-së: Në emër të popullit, shpallni të pafajshëm

Aktuale September 08, 2026 - 11:36

Aktivistë të organizatës “Liria ka Emër” kanë zhvilluar një aktivitet simbolik dhe demokratik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara, duke vendosur një pankartë me fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së dhe mbishkrimin: “Në emër të popullit, shpallni të pafajshëm”.

Në këtë aktivitet, vajza e dëshmorit Fatmir Fazliu dhe mbesa e dëshmorit Ali Haliti, Flaka Fazliu, ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se lufta çlirimtare nuk duhet të shkëputet nga historia dhe të vendoset në bankën e të akuzuarve.

“Ata nuk luftuan për privilegje, për pushtete dhe as për hakmarrje, por luftuan për liri. Prandaj sot kam ardhur këtu me një mesazh që nuk mund të relativizohet dhe as të anashkalohet: ne kërkojmë drejtësi”, tha ajo.

“Por drejtësia nuk mund të jetë e drejtë nëse shkëputet nga historia. Nuk mund të ketë drejtësi nëse harrohet se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima. Nuk mund të ketë drejtësi nëse lufta e një populli për liri shndërrohet, pas shumë dekadash, në një proces ku viktima duhet që vazhdimisht të dëshmojë pafajësinë e saj. Sot para jush ne vendosim një mesazh që përfaqëson pritjen, dhimbjen dhe bindjen e mijëra qytetarëve të Kosovës. Në emër të Kosovës: JU SHPALLENI TË PAFAJSHËM!”, tha ajo.

Fazliu tha se pankarta e vendosur para objektit të EULEX-it përfaqëson, sipas saj, një kërkesë dhe paralajmërim demokratik se Kosova nuk do të heshtë përballë përpjekjeve për shtrembërimin e historisë së saj.

“Kjo pankartë nuk është vetëm një kërkesë. Është një porosi, është edhe një kërkesë, por është edhe një paralajmërim demokratik se Kosova nuk do të heshtë përballë asnjë përpjekjeje që e shtrembëron historinë e saj dhe e vendos luftën e saj çlirimtare në bankën e të akuzuarve. Më 16 shtator ne nuk presim vetëm një aktgjykim, por presim një përgjigje ndaj një pyetjeje shumë të madhe: a do të triumfojë drejtësia apo padrejtësia do të marrë vulën e drejtësisë?”, tha ajo.

Ajo tha se në Hagë nuk janë vetëm katër të akuzuar, por, sipas saj, pas tyre qëndron historia e një populli që ka përjetuar përndjekje, vuajtje dhe masakra.

“Sepse në Hagë nuk janë vetëm katër emra. Janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por pas tyre është edhe një histori. Është historia e një populli të përndjekur, të vuajtur dhe të masakruar. Është historia e mijëra familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Janë nënat që ende i kujtojnë bijtë. Janë fëmijët që u rritën pa baballarë dhe pa më të dashurit e tyre — ashtu si unë dhe shumë bashkëmoshatarë të mi. Dhe pikërisht për këtë arsye, askush nuk ka të drejtë të na kërkojë sot të heshtim. Ne kemi paguar shumë shtrenjtë për lirinë që të heshtim kur historia jonë dhe dinjiteti ynë si popull vihet në pikëpyetje!”, tha ajo.

Në fund, ajo iu drejtua institucioneve ndërkombëtare me thirrjen që, sipas saj, të mos harrohet sakrifica mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

“Këtu, para misionit të EULEX-it, u drejtohemi institucioneve ndërkombëtare: mos harroni se mbi cilën sakrificë është ndërtuar kjo republikë, mos e barazoni çlirimtarin me pushtuesin. Dhe mos prisni se Kosova do të heshtë”, tha ajo.

Image

Image

Image