Situata me zjarret në Shqipëri, 11 vatra aktive e mbi 1000 forca në terren për shuarjen e flakëve

Situata me zjarret në Shqipëri, 11 vatra aktive e mbi 1000 forca në terren për shuarjen e flakëve

Aktuale September 08, 2026 - 12:03

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, tetë janë nën mbikëqyrje dhe 24 janë deklaruar të fikura.

Në operacione janë angazhuar 614 forca vendore/lokale, 355 efektivë të FA, 70 automjete zjarrfikëse vendore, si dhe mjete të FA; janë zhvilluar katër operacione me helikopterë dhe një me avion Air Tractor.

Qarku Tiranë: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADM-së, 74 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe një autoambulancë, si dhe një avion Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Kryezi të Kavajës dhe Malin e Bërzhitës janë nën mbikëqyrje.

Qarku Dibër: Vijojnë aktive katër vatra: në Vajkal të Bulqizës, në Lundre–Madhesh të Matit, në Qafën e Helmes në Fushë-Bulqizë dhe në Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh janë angazhuar 33 forca vendore, të mbështetura nga 37 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 autoambulancë, ndërsa ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Për vatrat aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Qarku Lezhë: Mbeten aktive vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Lezhës. Situata më intensive paraqitet në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë angazhuar 63 forca vendore e vullnetare dhe 132 efektivë të FA, me 7 mjete, tri automjete zjarrfikëse dhe dy autoambulanca; ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Rreziku për banesat është shmangur.

Qarku Elbasan: Vijon aktive vatra në Gurëshpatë, njësia administrative Polis, Librazhd, ku po operojnë forcat e MZSH Librazhd. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në malin e Qukësit, Prrenjas, mbahet nën mbikëqyrje.

Qarku Shkodër: Mbeten aktive tre vatra kryesore: në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, në Bardhaj–Myselim, Shkodër, dhe në malin e Tërbunit, Pukë. Në Bardhaj–Myselim janë angazhuar strukturat vendore dhe 58 efektivë të FA me mjete zjarrfikëse e autoambulancë, ndërsa ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Në Tërbun operojnë 46 forca vendore e policore dhe 42 efektivë të FA me 6 mjete dhe autoambulancë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat. Vatrat në Iballë dhe Bërdicë janë nën mbikëqyrje.

Qarku Vlorë: Vatra në Bolenë, Horë-Vranisht, Himarë, është nën mbikëqyrje nga forcat e MZSH Himarë. Vatra e riaktivizuar në Kropisht, Selenicë, është deklaruar e fikur.

Qarku Fier: Vatrat në Peshtan, Fier, dhe Çërrilë, Mallakastër, janë nën mbikëqyrje nga forcat zjarrfikëse, përkatësisht në sipërfaqe me ullishta dhe në pyll me pisha, lis e shkurre.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.