Avokati i Popullit: Dallimi në kompensim mes gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të rishikohet
Avokati i Popullit Naim Qelaj, ka publikuar një Opinion lidhur me caktimin e shtesës së rrezikshmërisë për gjyqtarët e Departamentit Special, duke vlerësuar nevojën për rishikimin e mënyrës së trajtimit financiar të kësaj kategorie.
Në Opinion theksohet se shtesa duhet të shqyrtohet edhe në raport me funksione të krahasueshme brenda sistemit të drejtësisë penale, me qëllim të krijimit të një qasjeje më të balancuar dhe koherente.
Avokati i Popullit i referohet parimit “punë me vlerë të njëjtë, pagë e barabartë”, duke vlerësuar se funksionet që bartin përgjegjësi dhe vlerë të krahasueshme profesionale e shoqërore duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë sa i përket aspektit financiar.
Sipas Opinionit, gjyqtarët e Departamentit Special dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale kanë funksione të ndryshme institucionale, por të dyja kategoritë bartin përgjegjësi të larta në trajtimin e rasteve penale me kompleksitet dhe ndjeshmëri të veçantë.
Avokati i Popullit vlerëson se dallimi i vazhdueshëm në kompensim mes këtyre dy kategorive, nëse nuk mbështetet në një arsyetim objektiv dhe proporcional, mund të mos jetë plotësisht në harmoni me standardin e pavarësisë së gjyqësorit të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Në këtë drejtim, në Opinion thuhet se dallimet financiare mund të ndikojnë edhe në perceptimin për sigurinë financiare, motivimin dhe pozitën institucionale të gjyqtarëve të Departamentit Special.
Avokati i Popullit sqaron se qëllimi i Opinionit nuk është cenimi apo zvogëlimi i të drejtave financiare të asnjë kategorie, por shqyrtimi i mundësisë për një qasje më të harmonizuar në përcaktimin e shtesës së rrezikshmërisë.
Sipas tij, harmonizimi i kësaj shtese me trajtimin financiar të funksioneve të krahasueshme, duke marrë parasysh dallimet institucionale dhe përgjegjësinë vendimmarrëse të gjyqtarëve, do të mund të kontribuonte në forcimin e koherencës dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë në tërësi.