LIVE | Ndërpritet seanca, s’ka vota për nënkryetarët
Foto: Laura Hasani

LIVE | Ndërpritet seanca, s’ka vota për nënkryetarët

Aktuale September 09, 2026 - 13:29
Lajm i përditësuar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se aktualisht nuk ka vota të mjaftueshme për zgjedhjen e kandidatëve të propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja për postet e nënkryetarëve të Kuvendit.

Haxhiu tha se këtë e ka kuptuar nga takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike, duke iu referuar propozimeve të PDK-së dhe LDK-së.

“Dua t’i referohem një takimi që kisha me përfaqësuesit e partive politike. Nga ai takim, siç e kuptova, as propozimi i PDK-së, Vlora Çitaku, dhe as propozimi i LDK-së, Kujtim Shala, si dhe zonja Nagavci, e cila ngriti shqetësimet rreth deklarimit të deputetit Simiq se janë jokushtetuese, pra është e qartë se nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit”, tha Haxhiu.

Ajo tha se për këto çështje nevojitet dakordim ndërmjet partive politike.

“Konsideroj që duhet dakordim për këto çështje dhe, si rrjedhojë, seanca konstituive i vazhdon punimet të premten në orën 11:00”, deklaroi Haxhiu.

Përfundon pauza 30-minutëshe, ende nuk nis seanca konstituive e Kuvendit

Image

Edhe pas përfundimit të pauzës prej 30 minutash të kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ende nuk ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Pauza u kërkua pas mungesës së marrëveshjes ndërmjet partive politike parlamentare lidhur me mënyrën sesi do të votohet për nënkryetarët e Kuvendit.

Partitë politike kanë paraqitur propozimet e tyre për nënkryetarë, por mosmarrëveshjet rreth mënyrës së votimit kanë bërë që seanca të shkojë në pauzë.

Kuvendi shkon në pauzë, mospajtime për formën e votimit për nënkryetarët

Image

Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar në takim shefat e grupeve parlamentare.

Haxhiu e ka ndërprerë aktualisht votimin për nënkryetarët e Kuvendit, pas një konsultimi të shkurtër që kishte me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me formën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit, transmeton Zeri.info.

Ajo tha se ka propozim që nënkryetarët të votohen në pako, por për këtë ka mospajtime.

“Ka propozime të shkojnë në paket të gjithë dhe në anën tjetër ka rezerva për këtë formë të votimit, prandaj i ftoj grupet parlamentare në zyrën time”, tha Haxhiu.

Emrat e propozuar:

Nënkryetar nga LVV-ja: Ardian Gola

Nënkryetare nga PDK-ja: Vlora Çitaku

Nënkryetar nga LDK-ja: Kujtim Shala

Nënkryetar nga komuniteti serb: Slavko Simiq

Nënkryetar nga komuniteti joshumicë: Emilia Rexhepi. /Zëri

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit

Image

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu ka marrë 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenuan, raporton Zeri.info.

Haxhiu cila ushtron edhe postin e presidentit nga 5 prilli, do të vazhdojë edhe më tutje këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Haxhiu ishte edhe kryetare e legjislaturës së dhjetë e cila u shpërnda më 1 korrik 2026.

Image

Nis seanca e Kuvendit 

Image

Ka nisur seanca e Kuvendit, e drejtuar nga deputeti i LVV-së, Avni Dehari.

Në seancën e sotme deputetët pritet të konstituojnë Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, transmeton Zeri.info.

Në seancë janë të pranishëm janë 103 deputetë.

Kuvendi pret konstituimin sot

Image

Seanca konstituive e Kuvendit nuk vazhdoi për një muaj të plotë prej ndërprerjes së fundit më 8 gusht.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte pranuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që t’u jepet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike për presidentin para se të vazhdohet me konstituim të Kuvendit.

Kurti atëherë kishte deklaruar se “konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme e të panevojshme”.

Andaj, nuk kishte propozuar një kandidat për kryeparlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje [LVV].

Rregullorja e Kuvendit parasheh që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.

Dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Aleanca kanë bërë thirrje vazhdimisht gjatë muajit gusht që seanca konstituive të vazhdohej duke shkuar çdo 48 orë në sallën e Kuvendit.

Marrëveshja politike për presidentin, e cila ishte parakusht për Kurtin që të vazhdohej me seancën konstituive, u arrit më 31 gusht midis LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Megjithëse votat për Bekim Sejdiun, kandidatin për të cilin u pajtuan të dy partitë, nuk janë tashmë të sigurta, mbetet e paqartë nëse veç dakordimi për emrin e tij do të mjaftojë që deputetët ta mbyllin të mërkurën konstituimin apo do të kërkohet sërish kohë shtesë.