KFOR-i mohon raportimet: Avioni belg që u ul në Prishtinë s’ishte i përfshirë në aktivitetet e misionit
Foto: Laura Hasani

KFOR-i mohon raportimet: Avioni belg që u ul në Prishtinë s’ishte i përfshirë në aktivitetet e misionit

Aktuale September 16, 2026 - 09:48

Misioni i KFOR-it në Kosovë sot ka mohuar raportimet e publikuara nga disa media, lidhur me një aktivitet të pretenduar të një avioni belg në mbështetje të misionit të NATO-s në Kosovë.

Në një reagim, KFOR-i ka bërë të ditur se dje pasdite një avion belg transporti është ulur në Prishtinë, por ka theksuar se avioni nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aktivitet në mbështetje të KFOR-it, transmeton Zeri.info.

“KFOR-i është i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën për t'u përballur me situata të ndryshme të sigurisë dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij afatgjatë të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet në reagim.

KFOR-i thekson se misioni vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

Sipas KFOR-it, këto detyra kryhen në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet përkatëse të këtyre institucioneve si përgjegjëse për reagimin ndaj situatave të sigurisë. /Zëri