Çitaku aleatëve të Thaçit: Faleminderit për këshilla, por s’e pranojmë vendimin
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se pas vendimit në Hagë paskan reaguar aleatët historikë të Hashim Thaçit, për siç thotë ajo që të nëjtit kanë reaguar duke thënë se vendimi i sotëm në Hagë duhet të pranohet.
Çitaku, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, duke i falenderuar këta të fundit ka thënë “Faleminderit shumë për këshillat, por vendimin nuk e pranojmë”.
Postimi i plotë:
Paskan filluar të reagojnë aleatët historikë të Hashim Thaçit. Ata me të cilët ai punoi që nga dita e parë. Ata me të cilët, bashkë, arritëm shumë suksese e momente historike.
E tash paskan filluar të na thonë: pranojeni vendimin, sepse ka apel…
Faleminderit shumë.
Për ju, ndoshta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë vetëm njerëz me të cilët, në një moment të caktuar të historisë, keni bashkëpunuar. Njerëz që dikur i keni vlerësuar e lartësuar, aq sa Hashim Thaçin e keni krahasuar edhe me George Ëashingtonin.
Për ne, nuk janë thjesht personazhe të një kapitulli të kaluar.
Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës.
Prandaj, shumë faleminderit për këshillat.
Por jo.
Ne nuk e pranojmë këtë vendim.
Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë.
Deri në fund.
Deri në liri.