“Precizion, kamuflim, vëzhgim” – FSK-ja avancon aftësitë e pjesëtarëve
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se është realizuar Kursi i Avancuar për Snajper, në kuadër të zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të saj.
Sipas njoftimit të FSK-së, kursi ka pasur fokus aftësimin e pjesëtarëve për realizimin e detyrave të vëzhgimit, zbulimit dhe mbledhjes së informacioneve në zona me rrezikshmëri të lartë.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit janë trajnuar dhe vlerësuar në fusha të ndryshme profesionale, duke përfshirë planifikimin dhe organizimin e misionit, kalkulimin dhe realizimin e qitjeve, përdorimin e sistemeve të precizionit SIG Sauer, si dhe aftësitë fushore, kamuflimin, fshehjen dhe lëvizjen.
“Përmes trajnimeve të avancuara, FSK vazhdon të investojë në rritjen e profesionalizmit, disiplinës dhe kapaciteteve operacionale të pjesëtarëve të saj, në funksion të përmbushjes së misionit dhe standardeve të kërkuara profesionale”, thotë FSK-ja.
