Gruda: Kushtetuesja vërtetoi qëndrimet e PDK-së, tash kemi 13 ditë kohë për të vepruar
Deputeti i PDK’së, Përparim Gruda, ka komentuar vendimin që nxori sot Gjykata Kushtetuese në përgjigje ndaj kërkesës së PDK’së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Kuvendit dhe Qeverisë.
Gruda tha se ky vendim i sotëm i Kushtetueses “ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe”.
Ai listoi këto, duke thënë se tash kanë mbetur edhe 13 ditë kohë për të vepruar, përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe zgjedhjen e Presidentit.
“1. Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor.
2. Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar.
3. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare.
4. Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”.
Gruda në fund tha se vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor: “afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”.