Familjet Thaçi, Veseli e Krasniqi kërkojnë përgjegjësi institucionale: Presim të takohemi pas vendimit të Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Familjet Thaçi, Veseli e Krasniqi kërkojnë përgjegjësi institucionale: Presim të takohemi pas vendimit të Kuvendit

Aktuale September 23, 2026 - 18:52

Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar, në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një letër të publikuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen e tyre.

“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.

Familjet kanë falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e vazhdueshëm lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.

“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë”, thuhet në deklaratë.

Në letër, familjet kanë kërkuar nga përfaqësuesit institucionalë që të veprojnë me përgjegjësi në raport me Dhomat e Specializuara.

“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet më tej.

Familjet kanë reaguar edhe lidhur me ftesën për takim nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Ato kanë thënë se e vlerësojnë ftesën, por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit, me qëllim shmangien e keqkuptimeve rreth ndikimit të familjeve në vendimmarrjen institucionale.

“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në fund të letrës.