E mbijetuara shpreh revoltën ndaj Hagës: Për hatër të serbëve, këta po na njollosin UÇK-në
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rënduar shpirtin e një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në një rrëfim për Klan Kosovën, ajo ka shprehur zhgënjimin dhe revoltën e saj për faktin që para drejtësisë janë ish-pjesëtarë të UÇK-së.
E mbijetuara ka deklaruar se proceset në Hagë, sipas saj, kanë prekur rëndë edhe figurën e UÇK-së dhe popullin shqiptar.“E kanë njollosur popullin, e kanë njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e kanë njollosur çdo njeri që jeton në Kosovë, çdo shqiptarë”, u shpreh gruaja.
Duke folur për dhunën seksuale gjatë luftës, ajo ka shprehur revoltën e saj të thellë.
“Ata i kanë dhunuar femrat shqiptare, jo dhunim, por çnjerëzim, që nuk i ka pasur hije as një kafshe t’i bëjë ato gjëra, ata nuk janë njerëz, bashkë me këta të gjykatës së Hagës. Këta me qenë edhe më zi na kishin bërë, se ata çka na kanë bërë më përpara. Për hatër të serbëve, këta po na njollosin neve, UÇK-në dhe çdo kënd që ka bërë vepra për Kosovën. Ne jemi shumë të mllefosur dhe të hidhëruara nga këto gjëra”.