Deputeti i PDK-së bën thirrje: T’i lëmë zgjedhjet dhe të fokusohemi te Haga
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë thirrje që fokusi kryesor i politikës në Kosovë të rikthehet te çështja e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, përtej zgjedhjeve, prioritet duhet të jetë krijimi i mekanizmave shtetërorë për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së dhe procesin e tyre të apelit.
Ai tha se kërkesat e qytetarëve që protestojnë lidhen edhe me ndryshimin e ligjit dhe krijimin e mekanizmave financiarë për të mbuluar jo vetëm shpenzimet e avokatëve, por edhe mbikëqyrjen e procedurave të apelit.
Behrami paralajmëroi se nëse politika nuk e vendos Hagën dhe krijimin e këtyre mekanizmave në prioritet, pakënaqësia e qytetarëve mund të rritet.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë që kemi nisur para 6 vjetësh. Ka qenë një proces përndjekës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe jo i ndershëm. Mendoj se, përtej zgjedhjeve, përparësi është që ne kemi mekanizma shtetërorë për të mbrojtur krerët e UÇK-së dhe, kur ne ta kuptojmë që kjo është tema më urgjente, besoj që kjo na përbashkon edhe në tema të tjera. Për Partinë Demokratike të Kosovës, ne kemi vetëm një qëllim, që janë kërkesat e shqiptarëve që çdo natë po protestojnë. Qëllimi është të ketë ndryshim të ligjit. Qëllimi ynë është të ketë financa në disa aspekte për të mbuluar jo vetëm shpenzimet e avokatëve, por edhe kompani për mbikëqyrjen e procedurave të apelit dhe të tjera. Të kemi disa mekanizma për të cilët ne të sigurohemi që procesi në Hagë është i mbuluar dhe pastaj ne mund të vendosim nëse duam të shkojmë në zgjedhje. Të gjithë ata që janë në politikë duhet ta dinë se Partia Demokratike e Kosovës është në gjendje të bëjë kompromise vetëm e vetëm që të kemi shtetin në këtë proces, që të krijojmë mekanizma shtetërorë për të mbuluar procesin në Hagë. Nëse kjo nuk ndodh, kam frikë se edhe nëse shkojmë në zgjedhje, edhe ata që zgjidhen pas këtyre zgjedhjeve, edhe ata që mund të bëhen kryeministra më pas, besoj se ato poste nuk kanë për t’u dashur askujt, pasi qytetarët e kanë një mllef të jashtëzakonshëm, të cilin ne si politikë kemi arritur ta frenojmë. Por, kur ata e shohin që ne s’e kemi prioritet Hagën, krijimin e këtyre mekanizmave, ata nuk do të rrinë më siç kanë qëndruar deri tani. Dhe këtë e pashë edhe në mesazhin e protestës, ku çdo natë kanë filluar që kërkesat t’i bëjnë më të qarta dhe që këto kërkesa për ta janë jetike, ashtu si dhe për ne”, tha ai. /Euronews.al