ZPS-ja kërkon që Thaçit të mos i llogaritet paraburgimi në çështjen e pengimit të drejtësisë – do gjashtë vjet shtesë burg

ZPS-ja kërkon që Thaçit të mos i llogaritet paraburgimi në çështjen e pengimit të drejtësisë – do gjashtë vjet shtesë burg

Aktuale September 25, 2026 - 12:46

Prokuroria e Specializuar e Hagës ka kërkuar që Hashim Thaçit të mos i llogaritet koha e kaluar në paraburgim në kuadër të çështjes për pengim të drejtësisë.

Në dosjen finale të saj në çështjen “12”, ZPS-ja argumenton se koha e kaluar në paraburgim duhet t’i llogaritet vetëm dënimit në çështjen “06”, ku Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim.

Sipas Prokurorisë, Thaçi është mbajtur në paraburgim në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta – që nga nëntori i vitit 2020 në çështjen “06” dhe që nga nëntori i vitit 2024 në procedurën për pengimin e drejtësisë.

ZPS-ja i është referuar Rregullës 163(6), e cila parasheh kreditimin e kohës së kaluar në paraburgim para dënimit, por ka argumentuar se kjo kohë mund të merret parasysh vetëm një herë kur paraburgimi lidhet me çështje të ndryshme.

Në këtë çështje, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin. Nëse kërkesa e ZPS-së për mënyrën e llogaritjes së paraburgimit pranohet dhe dënimet mbeten në fuqi, dënimi i përgjithshëm i kërkuar për Thaçin në të dyja çështjet do të ishte 31 vjet burgim.

Për të akuzuarit e tjerë, ZPS-ja ka kërkuar tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, tre vjet për Isni Kilajn, tre vjet për Fadil Fazliun dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.