Arrestimi i nëntë personave në Zubin Potok, Lista Serbe dhe Beogradi e cilësojnë “hakmarrje” ndaj serbëve
Pas arrestimit të nëntë personave në Zubin Potok të dyshuar për krime lufte, kanë reaguar Lista Serbe dhe Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, duke kritikuar aksionin e Policisë së Kosovës dhe duke kërkuar respektimin e të drejtave të personave të arrestuar.
Lista Serbe e ka cilësuar aksionin e mëngjesit si “brutal”, duke pretenduar se arrestimet kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri në mesin e komunitetit serb në veri të Kosovës.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, kjo parti pretendon se gjatë aksionit kanë marrë pjesë dhjetëra pjesëtarë të armatosur të Policisë së Kosovës, ndërsa akuzon policinë për thyerje të dyerve, dëmtim të pronës private dhe siç pretendon kjo parti edhe frikësim të familjeve.
“Ky nuk është një proces ligjor, me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje, por hakmarrje dhe mënyra e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit për përndjekjen e serbëve. Fakt është se serbët në Zubin Potok muajt e fundit janë nën një terror të tmerrshëm që të kujton një pushtim”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Partia ka kërkuar që të arrestuarve t’u garantohen të gjitha të drejtat ligjore, përfshirë kontaktin me avokatët dhe familjet, ndërsa ka kërkuar nga KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë që ta monitorojnë procedurën.
Reagim ka pasur edhe nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Kjo zyrë ka deklaruar se qëllimi i aksionit në Zubin Potok është “frikësimi dhe dëbimi” i serbëve, , duke shtuar se nëntë të arrestuarit janë serbë dhe operacioni u krye në pesë fshatra.
Zyra për Kosovë ka pretenduar gjithashtu se në mesin e të arrestuarve është një person në moshën 90-vjeçare, si dhe një person në familjen e të cilit jeton një fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Të arrestuar janë edhe të afërm të serbëve që tashmë kanë qenë cak i Prishtinës”, pretendoi Zyra e Qeverisë serbe, e cila shtoi se të arrestuarit kanë jetuar në Zubin Potok për më shumë se dy dekada.
Nga Zyra për Kosovë e Metohi kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e saj në terren janë në kontakt me familjet e personave të arrestuar dhe se po punohet për t’u siguruar atyre mbështetje juridike.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se nëntë personat janë arrestuar në kuadër të hetimeve për dyshime për “krime lufte kundër popullatës civile”. Aksioni është zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.