Kurti prezanton Platformën për Çështje të Komuniteteve: Mundëson komunikim të dyanshëm me Qeverinë

Kurti prezanton Platformën për Çështje të Komuniteteve: Mundëson komunikim të dyanshëm me Qeverinë

Aktuale September 29, 2026 - 16:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Platformës për Çështje të Komuniteteve te Qeveria e Kosovës, e cila është zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në vitin 2024, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës.

Kurti tha se platforma synon t’u mundësojë qytetarëve nga komunitetet joshumicë që në një vend të vetëm të kenë qasje në informacionet për politikat dhe mundësitë që ofron Qeveria.

Ai tha se platforma ka dy funksione kryesore, përfshirë informimin për mundësitë e ofruara nga institucionet dhe raportimin e drejtpërdrejtë të rasteve të diskriminimit.

“Së pari, ofron informata për politikat e Qeverisë, si dhe për mundësitë më të fundit për grante, subvencione, punësim, trajnime dhe punë praktike dhe, e dyta, u mundëson qytetarëve ta raportojnë drejtpërdrejt diskriminimin, duke krijuar kësisoj komunikim të dyanshëm ndërmjet Qeverisë dhe komuniteteve”, tha Kurti.

Kryeministri tha se platforma u dedikohet komuniteteve serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez dhe kroat.

Sipas tij, qytetarët mund t’i ushtrojnë më lehtë të drejtat e tyre nëse kanë informacion të qartë dhe të qasshëm për mundësitë që u ofrohen.

“Platforma u mundëson qytetarëve nga të gjitha komunitetet joshumicë: serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, por edhe malazez e kroat, ta gjejnë në një vend të vetëm informacionin që u nevojitet. Kjo ka rëndësi, sepse qytetarët mund të ushtrojnë të drejtat dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë vetëm atëherë kur janë mirë të informuar për to”, tha ai.

Kurti tha se platforma është përshtatur me sistemet qeveritare të Kosovës nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

Ai theksoi se ajo tashmë po kalon nga një projekt i zhvilluar me mbështetje ndërkombëtare në një shërbim publik të Qeverisë.

“Ajo është zhvilluar nga IOM-i në vitin 2024, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Zvicrës, për çka u shpreh mirënjohjen time. Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike e ka përshtatur me sistemet tona qeveritare. Kështu, nga një projekt, tani po bëhet shërbim publik i Qeverisë”, u shpreh Kurti.

Duke folur për nevojën e kësaj platforme, Kurti përmendi punëtoritë e organizuara me komunitetet joshumicë, ku, sipas tij, pjesëmarrësit kanë shprehur vështirësi në gjetjen e informacionit për të drejtat e tyre.

“Këtë vit, Zyra e Zëvendëskryeministrit ka organizuar një varg punëtorish me komunitetet joshumicë. Shumë nga pjesëmarrësit kanë theksuar se e kanë të vështirë të orientohen se ku dhe si t’i kërkojnë të drejtat e tyre, meqë informatat janë të shpërndara në shumë vende”, tha kryeministri.

Kurti tha se një tjetër nevojë e identifikuar është koordinimi më i mirë ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Ai përmendi takimin që kishte zhvilluar më 31 gusht me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, ku sipas tij është diskutuar pikërisht për këtë çështje.

“Ndërkohë, para rreth një muaji, më saktësisht me 31 gusht, unë u takova me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, ku diskutuam për nevojën e një koordinimi më të mirë ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale, sepse shumë nga çështjet që prekin komunitetet shfaqen pikërisht në nivel lokal dhe shpesh kërkojnë përfshirjen e më shumë se sa një institucioni. Me këtë platformë, i trajtojmë të dyja këto çështje, duke i bashkuar në një vend informatat e institucioneve qendrore dhe të komunave”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se platforma është ende në fillimet e saj dhe se funksionimi i saj do të varet nga institucionet dhe qytetarët.

“Megjithëkëto, platforma është ende në fillimet e saj. Suksesi i saj varet nga të gjitha institucionet, pra edhe qendrore, po ashtu edhe lokale, që duhet ta furnizojnë rregullisht me informata të sakta dhe të përditësuara. Por, varet edhe nga të gjithë qytetarët e shtetit tonë të përbashkët, nga komuniteti shumicë dhe nga ato joshumicë, të cilët mund të ndihmojnë që informatat e saj të arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë”, tha ai.

Kurti e vendosi platformën në kuadër të politikave më të gjera të Qeverisë për komunitetet joshumicë, të cilat, sipas tij, bazohen në katër parime.

“Kjo platformë është pjesë e politikave tona më të gjera për komunitetet joshumicë, të cilat udhëhiqen nga katër parime: gjithëpërfshirja dhe solidariteti, drejtësia socio-ekonomike, revitalizimi kulturor dhe të drejtat gjuhësore, si dhe përfaqësimi demokratik”, tha Kurti.

Ai foli edhe për të dhënat që, sipas tij, dëshmojnë për përparimin e Kosovës në demokraci dhe sundimin e ligjit, duke iu referuar edhe indekseve ndërkombëtare.

“Mbi këto parime, Kosova është bërë njëra ndër demokracitë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm. Këtë e dëshmojnë edhe indekset ndërkombëtare për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas Institutit V-Dem, për shembull, Kosova renditet ndër vendet me rezultatet më të mira si në indeksin e demokracisë liberale, ashtu edhe në atë të demokracisë egalitare. I pari, pra demokracisë liberale, indeksi matë se sa mbrohen të drejtat dhe liritë, ndërkaq i dyti, indeksi i demokracisë egalitare i Institutit V-Dem, tregon se sa në mënyrë të barabartë i gëzojnë ato liri dhe të drejta grupet e ndryshme të shoqërisë”, u shpreh ai.

Kurti foli edhe për rritjen ekonomike dhe politikat sociale, duke deklaruar se ato, sipas tij, kanë prekur qytetarët nga të gjitha komunitetet.

“Krahas përparimit në demokraci, Kosova po shënon edhe rritje të vazhdueshme ekonomike, me 5,4 për qind të bruto produktit vendor në çerekun e parë sivjet dhe me 4,1 për qind në çerekun e dytë, në tremujorin e dytë, rritje nga e cila përfitojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve. Papunësia për pesë vjet është zvogëluar nga 26 në 10 për qind. Programet sociale, nga mbështetja për nënat e reja dhe shtesat për fëmijë e deri te përkrahja për arsimin, punësimin dhe bizneset, u dedikohen të gjithë qytetarëve pa dallim. Vetëm në skemën e ndihmës sociale, një e katërta e familjeve përfituese, pra 25 për qind, vjen nga komunitetet joshumicë”, deklaroi kryeministri.

Ai përmendi edhe masat e veçanta të ndërmarra për komunitetet joshumicë në arsim, punësim dhe fusha të tjera.

“Përveç këtyre politikave të përgjithshme, kemi ndërmarrë edhe masa të veçanta. Nga viti 2021 deri në vitin 2025, kemi ndarë 1 milion euro për qendrat mësimore, të cilat kanë mbështetur rreth dymijë fëmijë. Rreth dymijë nxënës rom, ashkali dhe egjiptianë në shkollat e mesme kanë përfituar bursa, ndërsa për studentët nga komunitetet joshumicë, universitetet publike ndajnë çdo vit bursa të posaçme. Që nga viti 2023, kemi verifikuar 721 diploma të Universitetit të Mitrovicës së veriut, në mënyrë që të diplomuarit të mund të punësohen në sektorin publik”, tha Kurti.

Kryeministri tha se Qeveria po punon edhe në rritjen e përfaqësimit të komuniteteve në institucionet publike.

“Njëkohësisht, përmes fushatave të shënjestruara të rekrutimit, po e rrisim përfaqësimin e komuniteteve në institucionet tona. Gjatë këtyre viteve, kemi financuar edhe 400 projekte në fushën e arsimit, kulturës, sportit, shëndetësisë dhe manifestimeve fetare, ndërkohë që vazhdojmë t’i mbështesim rregullisht organizatat joqeveritare të komuniteteve”, tha ai.

Për mandatin e ardhshëm qeverisës, Kurti tha se fokusi do të jetë te vendet e punës dhe përfshirja më e madhe e grave dhe të rinjve në tregun e punës.

“Për mandatin qeverisës në vijim, fokus do të jetë rritja më cilësore e vendeve të punës e që paguhen më shumë, por edhe rritja e pjesëmarrjes së rinisë dhe grave në tregun e punës, e kjo edhe përmes zgjerimit të programit ‘Superpuna për Gratë’ dhe sistemit dual të arsimit”, deklaroi ai.

Në fund, Kurti tha se informacioni është element që lidh politikat dhe mundësitë e ofruara nga Qeveria me qytetarët që synojnë t’i shfrytëzojnë ato.

“Nga njëra anë, Qeveria ofron politika, fonde dhe programe. Në anën tjetër, për t’i shfrytëzuar ato sa më shumë dhe sa më mirë, nevojiten vullneti, pjesëmarrja dhe angazhimi i secilit qytetar. Ajo që i lidh këto të dyja është informacioni, dhe kjo platformë e bën më të lehtë për secilin që të dijë ku dhe si t’i gjejë këto mundësi”, tha Kurti.

Platformën, sipas tij, do ta menaxhojë Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Platformën do ta menaxhojë Zyra për Çështje të Komuniteteve, këtu në Zyrën e Kryeministrit. Unë ju ftoj të gjithëve që ta përdorni, ta promovoni në komunitetet tuaja dhe të na ndihmoni që ta përmirësojmë atë vazhdimisht”, shtoi Kurti.

Image

Image
Image