Gola e Bayr diskutojnë zhvillimet politike dhe rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së
Në margjinat e sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) në Strasburg, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryesuesi i Delegacionit, Ardian Gola, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Strasburg, Fitor Murati, u pritën në një takim zyrtar nga presidentja e APKE-së, Petra Bayr.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer, gjetjet e raportit zyrtar mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovë, si dhe për zhvillimet e fundit politike në vend.
“Gjatë takimit, nënkryetari Gola dhe ambasadori Murati shprehën mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Bayr dhe Asambleja Parlamentare në vazhdimësi i kanë ofruar Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. U ritheksua se ky bashkëpunim ka shërbyer si një shtysë e fuqishme për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë në vend”, thuhet në njoftim.
Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit iu kushtua raportit të misionit monitorues të APKE-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, dikutuar dje në sesion, ku krahas folësve të tjerë një adresim kishte edhe nënkryetari Gola.
Gjithashtu thuhet se palët shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në proceset paszgjedhore dhe përkushtimin për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme. Presidentja Bayr shprehu shqetësimin e saj rreth vështirësive në krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Gola e njoftoi presidenten Bayr se janë duke negociuar me partitë e tjera politike, fituese të zgjedhjeve rreth gjetjes së një konsensuesi për presidentin.
“Gola shprehu shqetësinin e tij rreth vendimit të Gjykatës Speciale. Ai përmendi se akuzat e raportit të Dick Marty-t për krime kundër njerëzimit dhe trafik organesh dhe shtëpinë e verdhë, nuk u vërtetuan, por dënimet e larta krijojnë përshtypjen se po tentohet të ndryshohet narrativa historike ku Kosova po barazohet me Serbinë agresore”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se presidentja e APKE-së, Petra Bayr, përgëzoi Kosovën për organizimin shembullor të procesit zgjedhor, përkunder disa gjetjeve që kërkojne përmirësim, si dhe inkurajoi institucionet që të vazhdojnë reformat në frymën e vlerave dhe standardeve evropiane, duke nënvizuar përkushtimin e saj drejt anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Sesioni vjeshtor i APKE-së aktivitetet do t’i vazhdojë edhe përgjatë tri ditëve në vijim, në kuadër të të cilave do të marrë pjesë edhe nënkryetari Gola.