KDI: Komisioni për Legjislacion e nisi punën me shkelje të Rregullores së Kuvendit

KDI: Komisioni për Legjislacion e nisi punën me shkelje të Rregullores së Kuvendit

Aktuale September 30, 2026 - 17:39

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si Komisioni për Legjislacion ka nisur punën, duke pretenduar se shqyrtimi dhe votimi në parim i pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi është bërë në kundërshtim me dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit.

KDI ka vlerësuar se deputetët nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar projektligjet dhe materialet përcjellëse, të cilat, sipas tyre, janë pranuar vetëm një natë para mbledhjes së komisionit.

“KDI shpreh shqetësimin që Komisioni për Legjislacion e nisi sot punën e tij me shqyrtimin dhe votimin në parim të pakos së projektligjeve për reformën në drejtësi, në shkelje të dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Sipas KDI-së, neni 34, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit përcakton se, përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit duhet të thirret së paku tri ditë pune para mbajtjes së saj.

“Fillimisht, neni 34 (4) i Rregullores përcakton se, përveç rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit thirret së paku tri ditë pune para mbajtjes së saj. Në rastin e sotëm, deputetët kanë pranuar pakon e projektligjeve dhe materialet përcjellëse prej qindra faqesh mbrëmë, ndërsa janë ftuar që sot t’i diskutojnë dhe votojnë ato në parim. Për këtë procedim të përshpejtuar nuk është dhënë paraprakisht ndonjë arsyetim”, thekson KDI.

Ky institut ka përmendur edhe nenin 74, paragrafi 1 të Rregullores, i cili, sipas KDI-së, parasheh që leximi i parë në seancë plenare mbahet vetëm pasi të kenë kaluar dy javë nga shpërndarja e projektligjeve te deputetët.

“Për më tepër, Rregullorja, në nenin 74 (1), parasheh që leximi i parë në seancë plenare mbahet vetëm pasi të kenë kaluar dy javë nga shpërndarja e projektligjeve tek deputetët. Pra, Komisioni kishte kohë që ta zhvillonte shqyrtimin në parim duke respektuar afatin e rregullt për thirrjen e mbledhjes dhe duke u dhënë deputetëve mundësi reale për t’i shqyrtuar materialet”, thuhet në komunikatë.

KDI ka kritikuar gjithashtu faktin që projektligjet janë votuar pa prezencën e ministres përgjegjëse, duke theksuar se, ndonëse kjo nuk përbën detyrim procedural, prania e saj do të ishte e rëndësishme duke pasur parasysh rëndësinë e pakos së reformës në drejtësi.

“Projektligjet u votuan gjithashtu pa u prezantuar nga ministrja përgjegjëse. Edhe pse kjo lidhet me praktikën parlamentare dhe jo me një detyrim procedural, për një pako kaq të rëndësishme të reformës në drejtësi do të duhej që ministrja të ishte e pranishme, t’i prezantonte propozimet dhe t’u përgjigjej pyetjeve eventuale të deputetëve”, thekson KDI.

KDI ka vlerësuar se projektligjet janë të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, duke kërkuar që shqyrtimi i tyre të bëhet pa procedura të përshpejtuara.

“KDI i konsideron këto projektligje tejet të rëndësishme për avancimin e integritetit, performancës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, procedimi i tyre duhet të bëhet pa nguti dhe në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

Në fund, KDI ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion që fazat e ardhshme të shqyrtimit të kësaj pakoje të zhvillohen në përputhje me procedurat parlamentare dhe me përfshirjen e akterëve relevantë.

“KDI pret që Komisioni për Legjislacion, i cili është përgjegjës për të garantuar zbatimin e drejtë të Rregullores së Kuvendit, t’i zhvillojë fazat e mëtejshme të shqyrtimit të kësaj pakoje duke respektuar plotësisht procedurat parlamentare dhe duke siguruar përfshirjen e akterëve relevantë”, përfundon komunikata.