Mërgimtarët protestojnë në Malmo: UÇK-ja është emri i lirisë së Kosovës
Edhe në Malmo të Suedisë është mbajtur protestë kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Një numër bashkatdhetarësh kanë dalë në rrugët e qytetit dhe kanë marshuar duke mbajtur pankarta në duar, në të cilat shkruhej “UÇK - Luftë për Liri”.
Gjatë protestës, njëri prej pjesëmarrësve ka marrë fjalën para të pranishmëve, duke folur për luftën e Kosovës dhe rolin e UÇK-së.
“Historia e luftës së Kosovës nuk mund të barazohet me krimet e individëve dhe aq më pak me krimet e agresorit”, tha ai.
Sipas tij, UÇK-ja nuk përfaqëson vetëm një emër, por një periudhë në të cilën, siç u shpreh, “populli i Kosovës luftonte për të drejtën e saj sublime, për të jetuar në vendin e vet të lirë”.
“Dhe kjo liri, e fituar pas një shekulli robërie, e ka një emër. Ai emër është UÇK-ja. Rroftë UÇK-ja, UÇK, UÇK”, u shpreh ai.
Protestuesit gjatë marshimit mbanin edhe flamurin kombëtar shqiptar dhe ishin të veshur me ngjyrat kuq e zi.