Peci i bën thirrje LDK-së për reflektim: Për Kosovën ia vlen kompromisi
Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje LDK-së për reflektim dhe angazhim të përbashkët për tejkalimin e situatës aktuale politike.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
"Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate. Zgjedhja e Presidentit/-es jo vetëm do t’i kompletonte institucionet tona të larta, por edhe do të krijonte stabilitet në këto kohë sfiduese. E vetëm me stabilitet institucional do të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin, edhe me ato që lidhen me procesin e drejtësisë e të shkallës së Apelit në Hagë. Të punojmë së bashku, të japim maksimumin që të tejkalojmë ditët e vështira që po kalon Kosova. T’ua dëshmojmë të gjithëve, po edhe vetes sonë e njëri-tjetrit, se e duam Kosovën, vendin tonë të bekuar. Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja. Për Kosovën ia vlen gjithçka", ka shkruar ai në "Facebook".